Neritan Sejamini ka folur për hapjen e fushatës elektorale nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sipas analistit, aktiviteti për hapjen e fushatës nuk kishte mesazh dhe nuk shpaloste ide, ndryshe nga aktiviteti i Ramës, që ka zgjedhur një slogan që synon të marrë vota duke e treguar kundërshtarin si “e vjetra” dhe veten si “e reja”.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Sejamini kritikoi edhe fushatën e Belind Këlliçit, i cili nuk po bën fushatë politike, por teknike, me premtime të vogla dhe pa rëndësi për votuesin gri, siç është autobusi falas. Sipas Sejaminit, Këlliçi nuk po godet oligarkët, krimin dhe pastrimin e parave, aktivitet që kryhet dendurisht në Tiranë me bekimin e mazhorancës.
“Çfarë mesazhi u dha? Nuk ngeli gjurmë dhe vizion. Nëse Rama ka idenë, do të ecim përpara dhe mbjellim fidanishte, ai mori aktivitetin dhe u dha të gjithëve një lopatë, bëri aktivitet të organizuar. Pra aktiviteti i Ramës ishte aktivitet që e jep mesazhin. Kurse këtu, nuk kishte mesazh. Është bërë pa u menduar, ishte amatoresk. Pretendon të marrësh votat dhe jo të mbushësh stadiumin. Duhet të japësh ide, mesazh, të tregosh qëllimin.
Rama e ka, ai thotë Berisha dhe Meta janë e shkuara, unë jam e ardhmja dhe simboli i të ardhmes është gjelbërimi, kështu zbeh edhe betonizimiin, sepse projektet e tij janë pastrimi i parave në ndërtim.
Fushata zgjedhore bëhet për votuesin e pavendosur, ja ku jemi këtu pesë vetë, vota potenciale të Belindit. Belindi duhet të flasë për ne, votuesin e pavendosur. E gjithë fushata përqëndrohet te kjo. Kush nga ne do të votojë për autobusin falas? Asnjëri. Ai elektorat që e bën fitues Belind Këllicin nuk janë ata që kanë problemin e autobusit. Nga pikëpamja elektorale, është strategji e gabuar.
E dyta, i gjithë problemi i Bashkisë Tiranë, qenka autobusi falas, atëherë ai duhet të rrijë në pushtet. Para fushatës, kur kanë qenë primaret, ishim pro Ilir Alimehmetit dhe na thanë duhet kandidat politik. Tani kandidati politik që zgjodhen po bën si NGO. Beteja politike është, Tirana është kthyer në një truall ndërtimi për pastrimin e parave të krimit, ku janë përshirë biznesmenët më të mëdhenj, krimi dhe politika.
Fushata në Tiranë duhet të ishte fushatë politike, një model që është kundër oligarkëve, pastrimit të parave, kullave që kanë mbirë kudo, kundër modelit të korruptimit total, përballë Veliajt. Të na linte ne të zgjidhnim. Nëse zoti Këlliçi thotë unë të rregulloj autobusin, disa shkolla, kjo nuk është fushatë, nuk është kjo Tirana.
Nga njëra anë themi nuk rrëzohet Rama se kontrollon gjithë Shqipërinë, tani mendojmë se bileta 40 lekë do e rrëzojë… Duhet projekt dhe vizion politik për të rrëzuar këtë”, deklaroi Sejamini.