Një oficer rus, anëtar i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), u zhvendos në Turqi për t’i shpëtuar dënimit të Presidentit Putin, i cili nuk heziton ta quajë atë “kriminel lufte”.
Gleb Karakulov i bëri thirrje Perëndimit të bëjë gjënë e duhur për ta ndëshkuar siç e meriton. Ai gjithashtu pretendon se presidenti rus është aq paranojak për sigurinë e tij, saqë preferon të qëndrojë i izoluar “në bunkerin e tij”.
“Putin ka frikë nga ideja se do të vritet nga armiqtë e tij dhe zgjedh të qëndrojë në bunkerin e tij në vend që të udhëtojë si dikur”, u shpreh ai, teksa shtoi se paranojën e liderit rus e tregon edhe fakti se ai nuk përdor kurrë celular.
“Domethënë, në të gjitha vitet e shërbimit tim, nuk e kam parë asnjëherë me celular dhe as që kam përdorur internetin. Ai merr informacion vetëm nga rrethi i tij i ngushtë, që do të thotë se ai nuk është mjaft i informuar.
Kjo do të thotë se njohuritë e tij për ngjarjet filtrohen përmes shërbimeve të inteligjencës dhe asaj që ai shikon në televizionin rus të kontrolluar nga shteti”. Ai shton se Putini ka një fobi ndaj sëmundjes Covid dhe, për këtë arsye, është ende i izoluar.
“Ne kemi ende një president që është në izolim. Duhet të respektojmë një karantinë të rreptë për dy javë para çdo takimi, edhe ato që zgjasin 15 deri në 20 minuta”.
“Ka një grup këshilltarësh të tij që e kanë kaluar këtë karantinë dyjavore. Ata konsiderohen ‘të pastër’ nga sëmundja Covid dhe mund të jenë në të njëjtën dhomë me Putinin”, shpjegoi Karakulov.