Një operacion antidrogë po zhvillohet në Malësinë e Madhe. 6 dronë dhe 100 efektivë janë në dispozicion për finalizimin e operacionit “Alpe të Pastra”.
Qëllimi është parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike. Gjithë terreni malor do të kontrollohet për të ndaluar dhe ato miniparcela të hapura ku mund të kultivohet kanabis.
“Ky operacion do të zhvillohet në territorin e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në zonat me risk te lartë kultivimi. Fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë.
Grupet e kontrollit kanë në dispozicion dronë dhe do të kontrollojnë jo vetëm zonat malore, por çdo territor të këtyre zonave, duke u përqendruar edhe në ato zona që në vitet e kaluara, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bimë narkotike të kultivuara,” – thuhet në njoftimin e policisë.
Operacioni policor antikanabis “Alpe të pastra” do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, në territoret malore në të gjithë qarkun Shkodër.