Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka hedhur dyshime mbi aspiratën afatgjatë të Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.

Ndërhyrja e tij erdhi pasi sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg deklaroi të premten se të gjithë aleatët e NATO-s kanë rënë dakord që Ukraina të bëhet një vend anëtar.

Stoltenberg ka deklaruar vazhdimisht se Kievi do të bashkohet me Aleancën në një plan afatmesëm, sapo pushtimi rus të ketë përfunduar.

Por Orban nuk vonoi të shprehte habinë e tij ndaj kësaj deklarate përmes një postimi në Twitter, të bërë pasditen e së premtes. “Çfarë?!”, u shpreh i habitur kryeministri hungarez, duke përdorur një fjalë të vetme.
NATO është një aleancë ushtarake me 31 vende, shumica e të cilave evropiane, por edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

Hungaria, si çdo shtet anëtar ka të drejtën për të vendosur veton ndaj anëtarësimeve të reja. Aleatët ranë dakord në vitin 2008 që Ukraina të bashkohet me Aleancën, edhe pse i mohuan anëtarësimin e menjëhershëm.

Bashkimi me bllokun sjell mbrojtjen e një vendi në bazë të nenit numër 5, që thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj gjithë organizatës.

Në praktikë, kjo do të thotë se nëse Ukraina do të pushtohej ose sulmohej, të gjitha shtetet e NATO-s, përfshirë Amerikën, do t’i vinin në ndihmë.

Por Hungaria, që u bashkua me Aleancën në vitin 1999, ka treguar vullnetin për ta kundërshtuar procesin e zgjerimit.