Papa Françesku uroi sot besimtarët ortodoksë për Pashkët, duke iu drejtuar veçanërisht rusëve dhe ukrainasve, me lutjet “që Zoti t’i ndihmojë ata të bëjnë paqe”.

“Dua të shpreh afërsinë time me të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia që, veçanërisht në Lindje, festojnë sot Pashkët. Zoti i ringjallur qoftë me ju dhe ju mbushtë me Shpirtin e Tij të Shenjtë! Gëzuar Pashkët për të gjithë ju”, tha Papa raporton Vatican News.

Ai tha se për fat të keq, në kundërshtim me mesazhin e Pashkëve, luftërat vazhdojnë të mbjellin vdekjen në mënyra të tmerrshme, duke u bërë thirrje të gjithëve të luten për rusët dhe ukrainasit.

“Të mbajmë zi për këto krime dhe të lutemi për viktimat, duke i lutur Zotit që bota të mos përjetojë më tmerrin e vdekjes së dhunshme në duart e njeriut, por mrekullinë e jetës që Ai jep dhe ripërtërin me hirin e Tij”, thuhet në mesazhin e Papës.