Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje, e cila mund të kishte përfunduar me të vrarë. Një 58-vjeçar është arrestuar pasi ka kanosur me armë zjarri bashkëfshatarin e tij për motive pronësie. Ka qenë ndërhyrja në kohë e bluve të Vlorë, e cila ka bërë të mundur parandalimin e konfliktit. Gazetari i ABC News, raporton se i arrestuari është Arben Stafa.
Njoftimi i policisë:
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri. Vihet në pranga një 58-vjeçar që kanosi me armë zjarri pistoletë, bashkëfshatarin e tij, pas një konflikti për motive pronësie, në fshatin Panaja.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në fshatin Panaja, në vendin e quajtur “Selevec”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Selevec”, për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Në kuadër të këtij operacioni, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. S., 58 vjeç, banues në fshati Oshtimë, Vlorë.
Shtetasi A. S., gjatë një konflikti për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin N. H., 58 vjeç, banues në fshatin Oshtimë, Vlorë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë dhe një sasi fishekësh. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.