Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka konsideruar baltosje dhe gënjeshtra akuzat në drejtim të ambasadores Yuri Kim. Në një reagim për Vizion Plus theksohet se kjo formë sjelljeje bën pjesë tek taktikat e vjetra, që nuk janë të denja për një vend të NATO-s dhe që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE, dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane. Kujtojmë se deputeti Edi Paloka tha se ambasadorja Yuri Kim mbështet kryeministrin Edi Rama për shkak të parave, që sipas tij i merr në fund të muajit.

“Në 2021 thamë 1000 gjëra dhe ikëm e shkatërruam PD. Këtë herë nuk do lejojmë me të gjitha mënyrat që të vendoset rezultati i zgjedhjeve nga presione qeveritare dhe para mafie dhe inceneratorësh. Ata që do e bëjnë do japin edhe llogari për këtë.

Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës.Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij.

Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, është shprehur Paloka.