Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Delphi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen më tej, veçanërisht në rrafshin ekonomik, teksa shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja kanë shënuar rritje viteve të fundit, ishin pjesë qendrore e takimit.
Gjatë këtij takimi Kurti falënderoi ministrin Dendias dhe shtetin e Greqisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në proceset integruese.
Gjithashtu u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Theksojmë se takimi i sotëm i kryeministrit Kurti me ministrin Dendias ishte i dhjeti në dy vite. Muajin e kaluar, ministri grek Dendias kishte vizituar Kosovën, ku përkonte me vizitën e gjashtë zyrtare në Kosovë.