Nga: Mero Baze
Ajo që po ndodh me betejat e përditshme të Berishës dhe Metës kundër SHBA, në të vërtetë është një përpjekje tinzare për ta kthyer anti-amerikanizmin si një gjendje normale në politikën ditore në Shqipëri.
Përkundër pritshmërisë që kanë shumë opozitarë, që Berisha duhet ta shmangte debatin me SHBA dhe të bënte sikur nuk ishte në luftë me ta, ai ka katër ditë radhazi që këmbëngul tek beteja me SHBA, madje së fundmi kërcënoi se do ballafaqohej dhe ligjërisht me ambasadoren e SHBA, që sipas tij, ka shkelur ligjin elektoral.
Është e qartë për të gjithë se deklaratat e ambasadores nuk kanë të bëjnë me fushatën elektorale, por me qëndrimin zyrtar të SHBA ndaj Berishës. Dhe ajo e ka detyrë ta bëjë publike atë sa herë ja kërkojnë, duke e konfirmuar.
Edhe Sali Berisha e di këtë, por nuk i intereson. Ai do që njerëzit të mësohen me idenë e luftës së përditshme ndaj SHBA, apo siç do ta thoshte dikur ai kur ishte në Partinë e Punës, me revolucionin permanent kundër SHBA.
Të njëjtën gjë bën dhe Ilir Meta. Edhe ai përpiqet të përfshihet në betejë duke i kundërvënë SHBA-së kandidatët e bashkive, për t’i treguar se nuk ka punë vetëm me Berishën e Metën, por me 61 njerëz të tyre.
Më tej sëmundja është shpërndarë në gjithë gazetarët pro Berishës që mbushin ekranet, që janë bërë të gjithë ekspertë të SHBA dhe gjykojnë për gabimet e saj në Shqipëri, sikur të ishin Komisioni i Jashtëm i Senatit amerikan.
Ky lloj “normaliteti” në perceptimin e betejës politike të Berishës kundër SHBA, është në fakt një nga gjërat më të hidhura të debatit politik në Shqipëri, pasi në një farë mënyre ka legalizuar betejën me SHBA, si betejë elektorale në Shqipëri, dhe ka cenuar konsensusin kombëtar për SHBA si aleat strategjik i Shqipërisë.
Berisha po përpiqet ta relativizojë këtë gjë, duke arritur të krijojë perceptimin që SHBA dhe mund të bëhet palë në zgjedhje dhe të votohet kundër saj.
Dhe po e bën me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, sidomos paratë e pista të korrupsionit, që bëjnë që ai t’i mbijetojë një beteje të financuar nga krimi kundër SHBA, me media të korruptuara prej tij dhe me një enturazh politik opozitar thuajse të tredhur prej tij.