Nga Mero Baze/
Kishte një mënyrë se si Sali Berisha dhe Ilir Meta tu jepnin pak më shumë shanse kandidatëve të tyre në këtë fushatë, duke ndenjur të tërhequr për shkak të ngarkesës politike që kanë dhe duke nxjerrë para qytetarëve vetëm kandidatët. Kjo sidomos në qytet e mëdha, ku ata shpresojnë të ketë një farë gare, dhe ku kandidatët e tyre edhe pse mund të mos jenë fitues duket se investojnë një lloj identiteti politik.
Por ky shans jo vetëm që nuk është lejuar prej tyre, por me një vetëdije të qart po eklipsohet çdo lloj identiteti I kandidatëve, duke vënë në plan të parë dyshen Berisha Meta.
Të dy bashkë kanë vendosur të bashkohen në prezantimin e kandidatëve të primareve, në çdo tribunë dhe qytet, duke I dhënë shumë peshë anës politike të zgjedhjeve, në raport me profilin e kandidatit apo akoma më keq premtimet e tij .
Fushata e tyre e cila mes të tjerash është dhe dukshëm e shtrenjte, dhe nuk rrezaton, as modestinë financiare të Carës apo Boçit, dhe as gjendjen formale financiare të koalicionit të tyre që “de jure” nuk ka financime zyrtare.
Fushata e tyre ngjan si një fushatë karshillëku politik, për tu treguar shqiptarëve se ata të dy nuk ka vdekur”.
Në përpjekje për të zbukuruar fushatën e kandidatëve të “Foltores”, ndonjë aleat I vogël I tyre propozoi që kandidatët të çanin gardhin e Foltores dhe të artikulonin mendime politike që nuk janë në një gjatësi vale me dyshen Berisha Meta.
Por kjo jo që nuk ka shanse të ndodh, por dyshja Berisha Meta po u imponohen kandidatëve publikisht, duke I lënë ata në hije thjesht si ushtarë të tyre.
Dhe logjikisht kanë të drejt. Ata të dy nuk I shikojnë këto zgjedhje si zgjedhje bashkiake, pro si betejë të tyre për mbijetesë politike. Ata duan tu imponojnë shqiptarëve fuqinë e tyre politike, të cilën e kanë të vetmin kapital për të mbijetuar më tej përballë drejtësisë apo proceseve të tjera të daljes nga politika që i presin.
Ata nuk duan t’ia dinë fare sa kandidatë bashkish do fitojnë. Ata duan që në fund të thonë ne kemi kaq për qind votave dhe duhet të flisni me ne.Natyrisht nuk ka ndërmend të flas njeri me ta, por ata atë objektiv kanë.
Ndaj mos prisni që Këlliçi, Cara, Boçi, Spahia apo ndonjë kandidat tjetër që kanë nevojë të shfaqin personalitetin e tyre ta kenë këtë luks në këtë fushatë.
Kjo nuk është fushatë e tyre, por e atyre DY të mëdhenjve, që e shikojnë këtë si betejë për jetë a vdekje. Ata duan tu thonë shqiptarëve ose na pranoni ne të dyve, ose nuk duam t’ia dimë për kryetarë bashkish. Ky është halli I tyre I vetmi që i bën këto zgjedhje, zgjedhjet më politike në historinë e Shqipërisë, për shkak të atyre të dyve dhe jo për shkak të kandidatëve të tyre në këtë fushatë.
Ndaj mos na lodhni shumë me tullumbacet e premtimeve të kandidatëve të Foltores. I vetmi premtim që ata kanë , nuk është për shqiptarët por për Berishën e Metën. U janë betuar që do bëjnë ç’të mundin ti shpëtojnë faqen dhe tu marrin ca vota që të mos duken të braktisur. Për kaq është kjo fushatë!