Nga Mero Baze/
Belind Këlliçi po përballet me një fushatë sulmesh rreth mënyrës se si është regjistruar në një Universitet në Baltimore në SHBA dhe si e ka konvertuar shkollimin katërvjeçar të bachelorit në master. Akuzat kanë nisur muaj më parë fillimisht nga një prej aktivisteve më në zë të Foltores, Evi Kokalari dhe u rimorën nga shtypi në fillim të fushatës elektorale. Në fillim dukej qartazi si luftë klanesh brenda PD. Por akuzat kanë fituar popullaritet nga sqarimet e paqarta të Këliçit rreth përfundimit të shkollës së mesme dhe rreth standardit që është përdorur për të konvertuar një bachelor në master në vitin 2010. Nëse i shikon me hollësi gjithë procedurat duket se ka vend për debat nga të dy palët dhe ata që e akuzojnë por dhe ata që duan të mbrojnë. Nuk jemi në një rast klasik të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, por në një rast me plot manovra të paligjshme për të kapërcyer disa procedura si për regjistrim në Universitet ashtu dhe për konvertim të diplomës.
Por interesante është se ndërsa Këlliçi është vënë në qoshe dhe po masakrohet nga shtypi dhe pala kundërshtare brenda Foltores nuk ka një kundërpërgjigje ndaj këtyre akuzave. Vet Berisha deri tani ka heshtur, për të mos thënë që në muhabete privat e shpreh dhe një lloj pendese për mbështetjen ndaj tij. E gjitha kjo është shtuar qysh pas asaj që ndodhi në fushatën e hapjes në stadium në Tiranë, ku Berisha foli me shkallët bosh të stadiumit në kontrast me hyrjen e Këlliçit i cili foli para një stadiumi shumë herë më të mbushur se sa kur foli Berisha.
I vetmi që i ka dal në krah është Besart Xhaferi kreu i Forumit rinor të PD që është mik i tij personal, por që ka një përvojë të gjatë në fushën e rekrutimit të studentëve sidomos për Angli. Berisha vet nuk është angazhuar dhe nuk ka folur asnjë fjalë rreth kësaj fushate kundër tij. Shumë njerëz afër Berishës po ashtu shfaqin hapur mospëlqimin për tu përfshirë në këtë betejë dhe kjo dukshëm buron nga mënyra se si ata lexojnë qëndrimin e Berishës.
Nuk besoj se shkaku është vetëm poshtërimi që ju bë Berishës në çelje të fushatës. Mbi të gjitha ai nuk ka qenë një skenar i Këlliçit, por një sinjal i sinqertë i mbështetësve të Foltores që treguan se Berisha nuk është Mbreti i tyre, por një folës pa interes për turmën. Akoma më shumë kjo është vërtetuar në ditët më pas kur ai është braktisur në salla nga Jugu në Veri madje dhe në Bathore. Ky nuk është problem i shkaktuar nga Këlliçi por nga vet historia e Berishës. Ai thjesht po shikon se nuk është i pazëvendësueshëm dhe në atë repart talibanësh që ka mbledhur rreth vetes dhe aq më keq ndjehet i terrorizuar nga ideja që mund ti bëj hije një njeri që hyn e del në SHBA dhe ambasadën e tyre në Tiranë. Dhe siç thotë populli në këtë raste, “më mirë djepi bosh se shejtani brenda”.
Të njëjtin dyshim Berisha e ka dhe për Carën dhe Boçin në Durrës dhe Elbasan nëse fitojnë, por ata ende nuk janë përballur me ndonjë fushatë kaq agresive sa kjo ndaj Këlliçit. Dhe Berisha po rri e vështron, ndërkohë që ai u ka dal zot dhe atyre që janë përfshirë në ngjarje që kanë përfunduar me vrasje politike, siç është kandidati i Kamzës, por jo Belindit që i duket sikur do ta vras. Jam i sigurt që pas këtij shkrimi Berisha do të nxitoj të dal në krah të Belindit, por në fakt ai e ka dhënë mesazhin negativ për të duke heshtur për këto dy javë dhe akoma më keq duke e lënë në dorë të Ilir Metës ta mbroj ai.