Nga Mero Baze/
Dy ditët e fundit Foltorja e Berishës e ka humbur qetësinë. Ata që deri më sot përpiqeshin të injoronin PD zyrtare dhe ishin të qetë nga KQZ për shkak të Celibashit, befas e kanë humbur qetësinë. Katër anëtarë të KAS që votuan për vendosjen e emrit të Ilir Metës në fletën e votimit janë bërë tabelë qitje dhe po linçohen publikisht, edhe pse është një nga institucionet konsesuale të zgjedhjeve. Celibashi i ka të gjitha vendimet thuajse kundër socialistëve, por askush nuk ka bërë ndonjë deklaratë kundër tij. Ndërsa Berisha ka lëshuar gjithë mediat dhe gazetarët e listë pagesës djalit, të linçojnë 4 nga 5 anëtarët e KAS që thjesht urdhëruan zbatimin e ligjit.
Me të njëjtën egërsi ju turrën dhe hapjes së fushatës elektorale të PD në Tiranë. Në qendër të sulmeve vendosën Preç Zogaj, themeluesin e PD, pse ai hapi fushatën elektorale, e më pas vazhduan sulmet me të tjerë. Partia Demokratike tani është një parti tjetër, e ndarë nga Berisha dhe Berisha nuk ka pse përpiqet të diktojë kush të flasë e kush të drejtojë në atë parti. Ai ka zgjedhur t’i ketë kundërshtarë dhe kundërshtarë i ka. Dhe ai po përpiqet të diktojë jo vetëm në parti të tij, por dhe tek partia kundërshtarë.
Po përse i gjithë ky nervozizëm tek Foltorja?
Përpjekja e tij për të marrë monopolin e opozitës në këto zgjedhje është prishur. Vërtet PD nuk ka kandiduar në gjithë Shqipërinë, dhe as në bashkitë kryesore, por ka kandiduar në Tiranë, dhe kjo mjafton për të rrezatuar një frymë antiberishizmi në gjithë Shqipërinë.
Më në fund Berisha ka kuptuar se për të mbajtur gjallë betejën kundër tij, nuk është e nevojshme të gjesh 61 kandidatë që të mundin Berishën, por të mbash gjallë një ide kundër tij, që u vlen më shumë se 61 kandidatëve. Ajo që e shqetëson Berishën tani nuk janë fitoret apo humbjet e kandidatëve të tij. Realisht Berisha nuk e do as fitoren e Belindit, as Carës dhe as Boçit, siç pretendon, pasi e di që një javë pas fitores ata nuk i ka më të vetët. Berisha do që të mos mbillet fara e një ideologjie kundër tij në opozitë. Dhe kjo po ndodh.
Kjo është arsyeja që atë e shqetëson. Bejko po rritet çdo ditë në sondazhe, duke e përfaqësuar elektoratin anti Berishë në kryeqytet dhe duke e rrezatuar këtë frymë në gjithë vendin. Pas kësaj nuk ka shumë rendësi nëse ata votojnë Bejkon, kolegët e tij apo rrijnë në shtëpi.
Ata nuk shkojnë tek Berisha dhe i heqin atij stolin ku po përpiqet të hipë për t’i bërë karshillëk Perëndimit në emër të Shqipërisë. Kjo është arsyeja që e ka bërë Berishën të humbasë qetësinë. Dhe bashke me te zgjedhjet.