Tiranë, 11 Prill – Në Fakultetin e Mjekësisë u zhvillua sot procesi i përzgjedhjes së degëve në ciklin e ri të specializimeve afatgjatë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e përzgjedhjes së specialiteteve, ku foli për rritjen e kuotave dhe transparencë e meritokraci të këtij procesi.
“Kemi 325 kuota, të cilat janë gati për tu përzgjedhur nga mjekët e përgjithshëm, të cilët duan të specializohen në degë të ndryshme të mjekësisë, duke filluar nga kardiologjia, pediatria, obsetrikë-gjinekologjia, anestezi-reanimacioni, etj, pra të gjitha këto specialitete kaq shumë të nevojshme. Nga këto 325 kuota, 140 prej tyre janë kuota të mbuluara, ose të mbështetura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku mjekët specializantë, të cilët do të zgjedhin të kenë një kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të jenë të mbështetur edhe me pagesën mujore”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjithashtu foli edhe për rritjen e pages, e cila ka një rritje të konsiderueshme për mjekët që janë në proces specializimi dhe kanë kontratë me MSHMS.
“Në kuadër dhe të politikës së re të pagave të reja në sistemin shëndetësor, mjekët specializantë që do të kenë kontratë të lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë do të paguhen rreth 1000 euro në muaj, pa përfshirë këtu shërbimin roje që kryejnë në spitalet universitare përgjatë ciklit të specializimit, për të cilin ka pagesë ekstra”, tha Manastirliu.
Degët më të përzgjedhura këtë vit ishin kardiologjia, endokrinologjia, pediatria, obsetrikë-gjinekologjia, kirurgjia, dermatologjia etj. Pas bllokimit për katër vite të specializimeve në Mjekësi, në këto 8 vite të rihapjes së specializimeve, janë më shumë se 2 mijë kuota të hapura për mjekë specialistë.
Rritja e pagave të mjekëve specializantë është pjesë e planit dy-vjeçar të rritjes së pagave për stafet mjekësore. Përgjatë katër viteve të studimeve afatgjatë, mjekët specializantë paguhen nga shteti me 80% të pagës së mjekut specialist. Me rritjen me 50,000 lekë të pagës së mjekut specialist, rriten edhe pagat e mjekëve që janë në proces specializimi. Pjesë e planit të rritjes së pagave janë edhe mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, pagat e të cilëve u rritën me 7%, ndërsa vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të targetuar të pagave për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor publik.
Home Lajme Aktualitet Përzgjidhen degët, 325 kuota specializimi në Mjekësi, Manastirliu: Rritje historike e pagave...