Policia e Vlorës ka zbarkuar sot në banesën e një e një pjesëtari të një grupi kriminal, ku ka sekuestruar 39000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e grupit kriminal. Po ashtu në banesën e shtetasit me inicialet R. Sh., u gjet dhe një pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.

Bëhet fjalë për banesën e një 33-vjeçari që është shpallur në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

NJOFTIMI I POLICISE

Kontrolle intensive të befasishme, për kapjen e shtetasve me rekorde të theksuara penale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale. Forca e Posaçme Operacionale dhe disa grupe të FNSh-së, kontrolle në ambiente të ndryshme, të dyshuara të përdorura nga pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale.

Sekuestrohen në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal, 39000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e grupit kriminal, si dhe një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje. Shpallet në kërkim pronari i banesës, pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

Strukurat hetimore dhe ato operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me disa grupe të FNSh-së, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit për të mbajtur në kontroll situatën kriminale, për të goditur rastet e mbajtjes së armëve të zjarrit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve me rekorde penale në kuadër të grupeve kriminale, kanë kryer kontrolle të befasishme në disa ambiente (kryesisht banesa) që dyshohet se përdoren nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit, në lagjen “Pavarësia”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe shumën 39 000 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e këtij grupi kriminal.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi R. Sh., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.

Kontrollet intensive do të vijojnë në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.