Në ambientet e Pallatit të Kongreseve u promovua projekti më i ri i Ministrisë së Bujqësisë, “Portali i Fermerit”, një platformë e re online, që u vjen në ndihmë fermerëve për t’u informuar mbi çdo hallkë që shoqëron prodhimin bujqësor e deri tek çmimet e shitjes së produkteve.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se: “Ajo çka bën diferencën në mënyrë të vazhdueshme në sektorin e zhvillimit rural, është informacioni. Të gjithë ata që do të përdorin portalin e fermerit do t’ia shohin hajrin këtij portali sepse do të fitojnë pavarësi nga të gjithë kthesat, pengesat, pamundësitë ose edhe nga dezinformomi, keqinformimi, shtrembërimi i fakteve që jo gjithmonë ndodh qëllimisht. Do të fitojnë pavarësi për të pasur një bazë të dhënash në kohë reale të të gjithë komponentëve të zhvillimit rural, për të punuar me atë bazë të dhënash, për ta studiuar atë bazë të dhënash dhe për të mësuar nga ajo bazë të dhënash.”
“Duhet t’i japim një përgjigje pyetjes “Pse në të njëjtin shtet, në një distancë relativisht të shkurtër, disa i marrin mollët dhe i hedhin në rrugë dhe humbasin djersën, shpenzimet dhe të tjerë i shesin mollët si frëngu pulën”? Ku ndryshojnë këto dy grupe? Ndryshojnë sepse grupi i parë është i painformuar dhe insiston të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë që është bërë aty gjithmonë pavarësisht se konjuktura e tregut ka ndryshuar, se ajo lloj molle nuk ka më sukses, se ato sasi nuk vlejnë më për të bërë pazare ndërkohë që grupi i dytë ka kuptuar që nuk mund të vazhdojë të njëjtin avaz. Ky portal do të ndihmojë që do kush do të kuptojë, ta ketë shumë të lehtë të kuptojë; Kush do të informohet, ta ketë shumë të thjeshtë të informohet, kush do që t’i japë përgjigje këtyre dilemave që si i bëhet për këto e si i bëhet për atë, ta ketë shumë të lehtë” vijoi Kryeministri.
Rama shtoi se: “Ky portal bën transparencë të plotë të çmimeve dhe çdo mëngjes, pa dalë nga shtëpia, duke pirë kafe, fermeri hap dhe shikon sa janë çmimet dhe askush nga grumbulluesit nuk mund t’i fshihet realitetit të çmimit duke bërë truke, duke bërë abuzime dhe kështu krijohet një tjetër lloj partneriteti. Gjithashtu ky portal jep mundësinë që të shikosh se cilat janë rrugët për të marrë financim.”