Nga Altin Ketro/
Premtimi më i rëndësishëm që Lali Belo ka bërë deri më sot, është ai për transportin publik falas për qytetarët e bashkisë Tiranë, e cila përfshin 24 njësi administrative urbane dhe rurale. Deri tani jemi vetëm tek ideja që ky transport do jetë falas dhe që paratë do kursehen nga zëra të tjerë shpenzimesh.
Mbase është ende herët dhe do duhen ditët e fushatës elektorale që Lali Belo të detajojë se si do e realizojë këtë. Ekzistojnë disa paqartësi rreth kësaj nisme, prandaj doja t’i analizoja.
Së pari, do na duhet të supozojmë që Lali Belo do ketë shumicën vendimmarrëse në Këshillin Bashkiak. Duke qenë se kemi të bëjmë me fonde publike, ato do kalojnë nga vota e këshillit, kështu që ky element është shumë i rëndësishëm për suksesin e mbajtjes së këtij premtimi. Sepse mund të fitosh detyrën si kryetar bashkie, por nëse nuk bind dot Këshillin Bashkiak, çdo premtim elektoral shumëzohet me zero.
Së dyti, është e paqartë se si do jetë forma e financimit. A do të kemi një prishje të njëanshme të kontratave që bashkia e Tiranës ka me operatorët ekonomikë të këtij sektori dhe do ta kthejë në një ndërmarrje publike? Pra, a do investohet vetë bashkia Tiranë në blerjen e rreth 400 autobusëve të rinj për ta ofruar vetë këtë shërbim?
Prishja e kontratave do ta çojë në përballje gjyqësore. Kurse blerja e autobusëve të rinj, në sasi kaq të madhe, për një kohë kaq të shkurtër, është një investim buxhetor që bashkia Tiranë nuk mund ta marrë dot përsipër.
Nëse nuk do kemi alternativën e shtetëzimit të transportit urban, atëherë mbetet alternativa e pagesës së operative ekonomikë privatë që i kanë aktualisht në zotërim këto linja transporti.
Duke qenë se transporti do ofrohet falas, kjo do të thotë që privati ofron shërbimin e udhëtimit, kurse bashkia paguan. Pra as më shumë e as më pak, por një “Partneritet Publik Privat” klasik. Janë ato “3P” e famshme që gjithë opozitat (e Vulës, e Qysqisë dhe e Lirisë) i kanë sulmuar e bërë kalë betejash politike deri në komisione hetimore, ku Lali Belo ka qenë vetë anëtar.
Ky partneritet nuk mund të jetë kaq i lehtë për t’u arritur. Marrëveshja me shumë operatorë do të jetë një proces i ndërlikuar, sepse secili prej tyre ka specifikat dhe interesat e veta. Askush nuk duhet të trajtohet, as i privilegjuar e as i diskriminuar në raport me tjetrin operator.
Nëse Belo ka menduar që mjafton që të rimbursojë një sasi të caktuar biletash për çdo autobus dhe me kaq e hodhi lumin, them se gabohet. Fillimisht ai duhet të bëjë një studim fizibiliteti se sa do i kushtojë buxhetit të bashkisë kjo gjë. Shifrat që ka nxjerr deri tani janë fjalë boshe që më së shumti bazohen tek sasi e caktuar udhëtarësh shumëzuar me çmimin e biletës.
Janë një sërë zërash që do duhet të përllogariten: sasia e autobusëve që do jenë në dispozicion gjatë ditës nga mëngjesi herët deri në darkë vonë dhe kjo ka lidhje drejtpërdrejt me kostot e karburantit; pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve; mirëmbajtja e autobusëve për defekte teknike dhe rinovim pjesësh këmbimi; investimi në teknologji tek ofiçinat e riparimit të autobusëve; kredi të mundshme të marra nga operatorët për blerjen e autobusëve, blerja e autobusëve të rinj, etj.
Kur të vijë puna tek defektet teknike të autobusëve, si do të evidetohen këto problematika? Duke qenë se defektet nuk dihet se kur ndodhin, vështirë ta mendosh se këto shpenzime për riparime të ndryshme të parashikohen që në fillim si zë shpenzimesh. E këtu do lindin dyshimet se do ketë abuzim me fondet publike.
Ofrimi falas i këtij shërbimi do hedhë në rrugë së paku 800 faturino dhe kjo do ulë disi kostot, por gjithsesi për këto familjarë do të thotë një rrogë më pak në muaj.
Por deri sa të arrijmë në këtë pikë, do i rikthehem asaj që e nisa, pra që e gjitha do të kalojë nga Këshilli Bashkiak. Në rastin më të mirë, ky këshill, edhe po të tregohet luajal me kryetarin, fillimisht do kushtëzojë që ky të jetë një projekt pilot 1-vjeçar. Duke qenë diçka e paprovuar, nuk ka gjasë që këshilli të rrezikojë financat publike e të miratojë një marrëveshje 4-vjeçare me të gjithë operatorët.
Nga ana tjetër, operatorët ekonomikë, përveç pagesës së çdo shpenzimi, do duan edhe fitimin. Sa do të jetë përqindja e fitimit që do u jepet atyre dhe me çfarë formule do të llogaritet? Ndërkohë, në përfundim të periudhës së ofrimit të këtij shërbimi falas (vështirë ta mendoj se do të jetë i përhershëm), si do të jetë reagimi i publikut që i mësuar me transport falas, do përballet me pagesë?
Personalisht nuk bindem nga ky projekt i Lali Belos. Sado vullnetmirë që ta ketë, qoftë kjo edhe për fushatë për të mbledhur disa vota më shumë, mendoj se është një ide e parealizueshme, përtej një afati prove 1-vjeçar. Por kjo është një periudhë që asnjë operator ekonomik nuk ka leverdi të futet në marrëdhënie me bashkinë dhe rrjedhimisht ky do të jetë një premtim që do të dështojë me sukses të plotë.