U prezantua sot, në një ceremoni të veçantë Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Ilir Xhepexhia. I pranishëm në këtë ceremoni, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vlerësoi kontributin e dhënë në detyrat e mëparshme nga Gjeneral Ilir Xhepexhia.
“Gjeneral Xhepexhia vjen në krye të Forcës Tokësore pas një karriere të gjatë ushtarke, me detyra të shumta brenda dhe jashtë vendit, me një eksperiencë të shkëlqyer në përfaqësim dhe drejtim. Ka përfaqësuar Forcat e Armatosura në NATO dhe në vendet partnere si dhe ka drejtuar me profesionalizëm Forcën Detare dhe Komandën mbështetëse. Gjeneral Xhepexhia vjen në këtë detyrë pas arritjesh shumë domethënëse të kësaj strukture, përmend këtu certifikimin me shumë sukses të Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë gjatë muajit shtator të vitit të kaluar, kryerjen e një sërë misionesh të rëndësishme në kuadër të Aleancës si dhe menaxhimin me sukses të shumë emergjencave civile, zjarret, përmbytjet apo emergjenca të tjera, me të cilat vendi ynë përballet”, u shpreh në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes.
Më tej, Ministri Peleshi theksoi mbështetjen që qeveria ka treguar dhe do të vijojë. “Të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë shënuar Forcat e Armatosura prej vitit të kaluar. Falë mbështetjes së qeverisë Forcat e Armatosura tashmë shënojnë standard të larta dhe tashmë të krahasueshëm me ato të vendeve aleate. Trajtimi i personelit ka shënuar një rekord të pamenduar më parë përmes rritjes me 40% të pagave në të gjitha nivelet. Ju siguroj se mbështetja financiare për Forcat e Armatosura do të vazhdojë të jetë e shumanëshme, jo vetëm në drejtim të pagave, por edhe të strehimit, transportit, kujdesit shëndetësor si pjesë e një pakete sociale, për të cilën po punojmë çdo ditë”, theksoi Ministri.
Në ceremoninë e prezantimit të Komandantit të Forcës Tokësore ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Brigade Arben Kingji, i cili e mbante këtë detyrë më parë. Gjeneral brigade Ilir Xhepexhia deri më tani ka shërbyer si Komandant i Forcës Detare, në Komandën Mbështetëse, ndërsa më herët ka mbajtur detyra si: zëvendëskomandant në Qendrën e Radiozbulimit, shef sektori i operacioneve dhe stërvitjes në Forcën Tokësore, drejtor i drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm të FA. Ai ka qenë edhe zëvendëspërfaqësues ushtarak i RSH në NATO si dhe Atashe Ushtarak i RSH në Mbretërinë e Belgjikës, jo rezident në Republikën e Francës.