Nga Ylli Pata/
Një nga gazetat më të rëndësishme europiane, gjermanja Frankfurter Alemagne Zeitung, hapte sot me kryeartikullin e strategjisë së mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe ish-liderëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.E në fakt, ka një vëmendje të rëndësishme për procesin që nisi dje në Hagë, nga një gjykatë që juridikisht nuk është ndërkombëtare, edhe pse prokurorët e gjyqtarët i ka të tillë.
Gazeta prestigjoze gjermane theksonte se strategjia e mbrojtjes nuk ishte të mohonte krimet që mund të kishin ndodhur gjatë dhe pas luftës, por rruga hetimore e prokurorisë është e paqartë dhe e pamontuar me argumente si hetimore si juridike. E kjo u pa qartë edhe në fjalimin e Hashim Thaçit, i cili ishte më i rëndësishmi në ditën e sotme, kur fjalën e kishin të akuzuarit. Edhe ish-Presidenti i Kosovës nuk mohoi krimet që mund të kenë ndodhur, madje ka shprehur nderimin për viktimat, duke shtuar se një padrejtësi nuk mund të mbyllet me një padrejtësi tjetër. E në fakt, dita e sotme në procesin e vitit, ka qenë krejt e ndryshme nga e djeshmja.
Ditën e djeshme, prokuroria e tribunalit special, në rezumenë e akuzave të saj, ka pasur një qasje krejt të pazakontë në hartimin e një akuze zyrtare. Duke cekur se ka pasur raste vrasjesh, keqtrajtimesh apo edhe torturash, gjatë e pas luftës, Prokuroria Speciale akuzoi katër udhëheqësit e UÇK-së se kanë pasur një politikë të përcaktuar, një filozofi të përcaktuar, terrori ndaj të gjithë grupimeve të tjera politike, etnike apo edhe kulturore që nuk kanë një mendim me UÇK-në. E për këtë sollën deklarata të shkëputura nëpër veprimtari, ku nga pjesëtarë të katërshes, si për shembull Jakup Krasniqi, ka kritikuar apo edhe akuzuar kundërshtarët politik.
Ky ishte thelbi i akuzës; pra katërshja si koka e organizatës, sipas prokurorisë “kishin një fill lidhës politik që synonte të shuante me zjarr e me hekur jo vetëm ushtrinë e policinë serbe që ishin pushtues së Kosovës, por dhe të udhëhiqnin një politikë të tillë pas luftës”.
Një logjikë argument krejt jo real në fakte, i cili sipas të gjitha gjasave do të rrëzohet gjatë procesit krejt kollaj.
UÇK nuk ka qenë asnjë ditë e zhvillimit të saj një organizatë që ka përdorur aktet terroriste, apo terrorin si mjet për synimet e saj politike. Madje edhe aksionet e para guerile të Zahir Pajazitit kundër njësive ushtarake e policore serbe, kanë qenë akte lufte guerile. Asnjëherë UÇK nuk ka kryer akte tipike që shumë organizata në botë kanë pasur pjesë veprimtarie. Si për shembull IRA veriirlandeze apo OÇP-ja e Jaser Arafatit.
Nga ana tjetër, që në fillimin e saj, UÇK ishte një grupim politik që nisi veprimtarinë me kërkesën për një zgjidhje të negocuar për Kosovën, dhe Hashim Thaçi, si kreu politik i saj ka filluar aktivitetin si shefi i delegacionit shqiptar në Rambuje, ku përballë tyre ishin përfaqësuesit zyrtarë të Serbisë. Në akuzë, thuhet se PDK ka sulmuar çdo kundërshtar politik, duke nisur nga LDK-ja. Në fakt, përtej diferencave dhe kundërshtive politike, udhëheqja e Kosovës së çliruar nga Serbia ka nisur me një koalicion të madh ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ku President u zgjodh Ibrahim Rugova dhe kryeministër, Bajram Rexhepi. Traditë që më pas u bë rrugë dhe një zhvillim krejt normal në bashkëqeverisjen ndërmjet dy partive të mëdha. Akuza e prokurorisë special kishte më shumë nota letrare si përshkrimi i kushteve në hauret e lopëve ku janë mbajtur të burgosurit, sesa fakte se kush ka urdhëruar shkeljen e të drejtave njerëzore në episode të tilla.
Me të drejtë Hashim Thaçi, tha se materiali që qarkulloi 13 vjet më parë e që u publikua bujshëm në gazetat kryesore europiane që pati si bazë trafikun e organeve e shtëpibnë e verdhë nuk ekziston më. Ka rënë, ndërkohë që tani po merren me kontekstin e materialit. Ishte pikërisht “karremi i tmerrshëm” që u përdor për të demonizuar UÇK-në si një organizatë që bën gjëra jo njerëzore për ta fajësuar atë. Pasi përndryshe, UÇK nuk ka bërë asgjë më shumë se çlirimtarët kroatë, sllovenë apo boshnjakë kundër aparatit gjakatar ushtarako-policor por edhe paramilitar të Sllobodan Milosheviçit.
UÇK u pranua si partner i Perëndimit, pikërisht se nuk kishte asnjë fill ekstremist, integralist apo terrorist në logjikën e saj politike. Edhe pse disa prej organizatave që kanë lindur ushtrinë kanë simpatizuar idetë enveriste vetëm për çështjen nacionale, ata nuk morën asgjë nga ideologjia e Enverit. Që në fillim pranuan demokracinë si sistem e zgjedhjet si mekanizmi bazë për pushtetin pas çlirimit. As nuk krijuan “Këshill Antifashist” e as qeveri të tyren, por siç dihet Kosova u fut nën një protektorat ndërkombëtar. UÇK u demilitarizua e disa hynë në TMK, disa në politikë, e disa në profesione të tjera. Mirëpo sot në Prishtinë, nga grupe politike që janë pranë Vetëvendosjes, së paku në panelet televizive, akuzuan strategjinë e Thaçit dhe mbrojtjes së tij, ku janë pranuar krimet e ndodhura gjatë e pas luftës. Kur siç u tha me të drejtë nga mbrojtja e Thaçit e të tjerëve, nëse ka pasur një lob politik të UÇK-së që u soll si ekstremiste ishte ai që përfaqësohej nga Adem Demaçi, me zëdhënës Albin Kurtin, ku pjesa më e madhe sot është në qeverinë e Kosovës.
Ata ishin kundër Rambujesë, kundër Paktit Ahtisari, kundër dialogut e kundër Kosovës së pavarur. Pikërisht siç bën një organizatë ekstremiste që nuk pyet për pasojat por është gati të djegë vendin vetëm për pushtet të saj. Kështu bën Hamasi në Palestinë, Al Qaeda e të tjera. Ndërsa krerët e UÇK-së, duke nisur nga Hashim Thaçi, duke e ditur se një gjykatë special mund të vendosë ata në bankën e të akuzuarve, e votuan në Parlament duke u quajtur tradhëtarë nga Albin Kurti. Në fakt, nëse nuk do ta miratonte Parlamenti i Kosovës Gjykatën Speciale, atë do ta bënte Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ku do të kishte pushtet të madh edhe Rusia e Putinit, edhe Kina.