Nga Dritan Hila
Opozita nuk e prish më gjakun nëse do t’i fitojë apo jo zgjedhjet e 14 majit. Kjo edhe për faktin sepse opozita i ka shitur zgjedhjet. Flas për opozitën e Berishës, foltores sepse pjesa e Alibeajt, ajo që mban siglën zyrtare të PD-së është pothuajse e pallogaritshme për numrin e kandidatëve që ka paraqitur. Edhe të frustruar nga sulmet e vazhdueshme që i bën Berisha dhe kanë zgjedhur një rrugë as mish as peshk, për të hyrë në këto zgjedhje. Pra do paraqiten me kandidatë për këshillat bashkiakë dhe me një numër shumë të reduktuar kandidatësh për bashki, nuk merret vesh sa janë 10-11, të cilët vetëm sa i japin argumente Berishës që t’i sulmojë.
Berisha i ka shitur zgjedhjet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Së pari Berisha e di që është në një moshë të nderuar, është pothuajse 80 vjeç dhe kjo natyrisht e bën të pabesueshëm për publikun. Elektorati i elaboruar, elektorati i kënduar qoftë nga veriu apo jugu e ka të qartë që ky njeri e ka kryer ciklin e vet politik.
Po ta shohësh edhe gjuha që përdor është një gjuhë e vjetruar. Berisha në këto kushte ka menduar më mire të kapë çfarë të kapë, nga qenia në opozitë, sepse qenia në opozitë për kryetarin e opozitës është shumë komode. Jam i bindur që Edi Rama është bujar me Berishën. Unë nuk do të çuditesha nëse nesër do të dilnin fakte që firmat e lidhura me Berishën, me djalin, dhëndrin, kanë përfituar tenderë ekonomikë.
Së dyti, Berisha e ka shumë të qartë faktin që nesër vjen Eskobar këtu edhe nuk përfshihet në agjendë takimi me asnjë nga kryetarët e opozitës luftarake të Berishës dhe Metës. Eskobar ka ardhur me një agjendë të qartë. Atij i intereson edhe një opozitë gjysmake, madje as gjysmake, por çerekmake si e Alibeajt, se sa një opozitë e korruptuar si ajo e Berishës dhe Metës. Ka takime me presidentin dhe pastaj me Edi Ramën.
Berisha është në një pozitë që ndërkombëtarët nuk e honepsin fare, e kanë damkosur dhe ai e di që nuk vjen dot në pushtet vetëm me vullnetin e popullit. Duke llogaritur që as Haxhi Qamili nuk fitoi gjë sepse mjaftoi Esat Pasha që ta varte në mes të qytetit. Unë i uroj jetë të gjatë Berishës, nuk bëj krahasime. Por po them që edhe në një moment kur Shqipëria ishte katrahurë, u gjet gjithmonë dikush qe e frenoi një personazh që shkonte kundër rrjedhës së historisë, që ishte në atë kohe shkëputja e Shqipërisë nga Turqia, ndërsa sot shkëputja e Shqipërisë nga klasa e vjetër politike dhe nga mënyra e qeverisjes së tyre, që përfshin nepotizim, klientelizmin, hajdutllëkun. Do te thoni ju hajdutllëkun e ka dhe Rama. Kjo mbetet për t’u parë deri në një moment të dytë, por damkën këtu e ka marrë Berisha.
Kryesorja për Berishën që duket se janë zgjedhjet e shitura, duket te kandidatët e tij që janë zgjedhur në kushte emergjence. Po t’i shikosh shumica prej tyre edhe nga portreti fizik duken që janë të lodhur dhe nuk kanë asnjë shpresë se mund të fitojnë. Emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre është mungesa totale e një programi. Këta nuk kanë program fare, improvizojnë në moment, ju bie në mend një ide e hedhin pa e ditur se çfarë kushtesh reale ka Shqipëria.
Belind Këlliçi hodhi idenë e urbanëve falas. Edhe vetë e ai e di që është e pazbatueshme, sepse që të bëjë këtë së pari do t’i duhet të blejë autobusë të rinj, të krijojë parkun, personelin. Nëse do paguajë këto kompanitë nga buxheti i shtetit këtu vjen një katrahurë tjetër, si çdo gjë që bëhet falas dhe lirë. Jo më kot anglezi thotë; nuk jam i pasur të blej gjëra të lira.
Ky mendohet që do jetë një shërbim i lirë, por ne fakt ka për të qenë një shërbim katrahurë. Kandidatët e Berishës nuk kanë projekte, nuk kanë programe. Të gjithë improvizojnë në moment, pa llogaritur fare që një fushatë moderne në kohët e sotme kërkon një përgatitje shumë të madhe. Kërkon një përgatitje sa i përket targetit të zgjedhësve. Kë do të afrosh. Nuk është puna të afrosh militantët, problemi është të afrosh shtresën gri, mundësisht edhe nga socialistet. Kemi mungesën e targetit, mungesën e ideve.
Tirana nuk ka nevojë për autobusë, ka nevojë për rrugë, për zgjerimin e rrugëve. Aty ku më parë kanë qenë shtëpitë njëkatëshe, ose dykatëshe, sot kemi gradaçela, por rrugët nuk janë zgjeruar, shumica prej tyre janë pa parkim. Tirana ka nevojë urgjente për një infrastrukturë sepse e ka të sklerotizuar komplet. Ka nevojë për një sistemim. Tirana ka nevojë për një kanalizim modern. Këto janë idetë e Tiranës.
Tirana ka nevojë që të bëhet një qytet modern nëntokë, ashtu siç është mbi toke. Këtë nuk e shohim ne asnjë kandidatët.
Unë përmenda Tiranën, por e njëjta gjë vlen edhe për Fierin, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën.
Ndërkohe kryetarët e bashkive të PS-së janë njerëz në pushtet, dhe përveç favoreve që të jep pushteti, kanë edhe një lloj projeksioni se çfarë do të bëjnë 4 vitet e ardhshme. Ata njihen nga elektorati se çfarë bëjnë, çfarë duan të bëjnë, si e bëjnë. Kjo është një opozitë shumë e dobët. Berisha e ka të qartë këtë. U nis nga improvizimi që i bëri, gjë që vjen nga mungesa e lëndës së parë, sepse nuk mund të thuhet më kohë e shkurtër sepse Berisha në maj bën gati dy vjet që ka dalë në fushëbetejë por të krijuar një lëvizje të re. Mirëpo materiali njerëzor qe ka lë shumë për të dëshiruar. Ai po improvizon. Duke ditur që me këtë material nuk mund te fitojë, ai i ka shitur këto zgjedhje.(Dritare TV)