Partia Socialiste mblodhi dje Kryesinë e saj për të diskutuar organizimin dhe planifikimin e axhendës për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ndryshe nga garat e kaluara elektorale në 10 vite pushtet të të majtëve, këtë herë socialistët kanë premtuar se do të ulin kostot e aktiviteteve elektorale duke organizuar takime në grupe të vogla me qytetarët. Për mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PS, u përgjigj për mediat Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Damian Gjiknuri. Ai premtoi se do të publikohen brenda një kohe të shkurtër strategjia, kalendari i takimeve elektorale si dhe slogani socialist për 14 majin. Eksponenti socialist nuk kurseu opozitën në sulmet politike, veçanërisht koalicionin “Bashkë Fitojmë”, të drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët i konsideroi si politikanë me vizion shkatërrimtar për vendin duke premtuar përmbysje të dhunshme pushteti dhe rendi politik me revolucione. Gjiknuri nuk harroi të kujtonte dhe skandalin e ditëve të fundit, ku bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi rezultoi se është paguar rreth 19 mijë euro nga 2 oligarkë rusë të ndaluar për të hyrë në SHBA. Në 14 maj, socialistët do rikandidojnë në 61 bashki me 44 kryebashkiakë aktualë.

Gjiknuri: Jo aktivitete masive, s’duam të bërtasim
Fillimisht, sekretari i PS Damian Gjiknuri bëri me dije se socialistët do të ndryshojnë formë dhe organizim të fushatës zgjedhore për 14 majin, duke planifikuar takime me qytetarët në grupe të vogla dhe shmangur kostot e mëdha financiare. Ai premtoi se socialistët do të respektojnë Kodin Zgjedhor (për raportimin e shpenzimeve të fushatës, raportimin e takimeve elektorale, etj). Gjiknuri shtoi se strategjia dhe kalendari i aktiviteteve për periudhën 14 prill-12 maj do të bëhet publik së shpejti. “U diskutua për strategjinë dhe një kalendar aktivitetesh dhe do të respektojmë Kodin Zgjedhor. Ishte një mbledhje pune për strategjinë dhe kalendarin e aktiviteteve që shumë shpejt do i bëjmë publike. Ishin mbledhje organizative ku të gjithë anëtarët e Kryesisë dhanë mendimet. Hyjmë të sigurt me një strategji të mirëmenduar. Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete masive, nuk duam të bërtasim por t’u tregojmë njerëzve se çfarë pune kemi bërë. Aktivitetet do fillojnë javën tjetër edhe me nisjen zyrtare të fushatës elektorale”, u shpreh Gjiknuri për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS.

Sekretari i PS: Fushatë me pak kosto, opozita mendon vetëm shkatërrimin e Shqipërisë
I pyetur për strategjinë e fushatës zgjedhore të PS për 14 majin, Gjiknuri u përqendrua te sulmet politike ndaj kundërshtarëve të opozitës. Ai u bazua mbi propagandën “bardh e zi”, duke i konsideruar rivalët si pa ide, projekt progresit për të ardhmen e Shqipërisë, duke synuar vetëm shkatërrimin me revolucion. Ndryshe nga opozita, Gjiknuri tha se PS do investohet për vazhdimësinë pozitive të zhvillimit të vendit. Ai nënvizoi se PS do të ulë shpenzimet për fushatën elektorale të 14 majit. Për sa i përket refrenit “rublat ruse”, që socialistët e kanë përdorur pandërprerë ndaj PD (lobimi rus në PD kur drejtohej nga Lulzim Basha dhe pagesat nga kompani “offshore” të oligarkëve pranë Vladimir Putin për ish-kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi), nr. 2 i partisë në pushtet e konsideroi PD dhe PL si të zhytur thellë në sponsorizime anti-perëndimore ruse, që nënkupton cenimin e rendit dhe sigurisë së Shqipërisë. “Ata janë vetë të zhytur. Strategjia jonë është e ndërtimit të të ardhmes, e progresit që ka bërë Shqipëria, e evidentimit kudo në të gjithë territorin e Shqipërisë të gjithë zhvillimeve pozitive që po ndodhin. Pala tjetër nuk ka strategji, por ka vetëm një slogan, përmbysje dhe revolucion që nuk përkon me interesat e shqiptarëve në këtë moment historik ku janë. PS nuk do të shpenzojë në këtë fushatë. Duam të japim dhe një mesazh për zhvillimin dhe të mbjellim pemë. Ne e shohim Shqipërinë si një vend stabël që po bën progres. Pala tjetër e sheh zi”, vazhdoi më tej Gjiknuri.

Motoja e PS për 14 majin? Gjiknuri: Do i mëshojmë progresit dhe vazhdimësisë
Për kuriozitetin e mediave se cili do të jetë slogani (motoja) me të cilën PS do synojë fitoren në 14 maj, Gjiknuri nuk dha përgjigje konkrete, por pranoi se do t’u bëhet thirrje qytetarëve për të besuar e zgjedhur vazhdimësinë e zhvillimit të Shqipërisë nën drejtimin e PS. “Do e bëjmë të ditur shumë shpejt edhe moton. Do i mëshojmë progresit dhe vazhdimësisë”, përfundoi fjalën e tij për mediat Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri. (Sot)