Media i qaset Belind Këlliçit si zakonisht mbi programin e tij elektoral, atë për Tiranën; në fakt duhet t’i qaset vetëm politikisht, sipas konteksit të “non grata”-s të prijësit të tij politik, Berishës, në krahun e së cilit është rreshtuar.

Ky riosh nuk duhet pyetur për asgjë tjetër para asaj se si ka zgjedhur të futet në një garë elektorale duke qenë në një kamp që SHBA i kanë bërë “block”?

Vetëm kjo duhet të jetë qasja me Këlliçin dhe me çdo kandidat tjetër të Rithemelimit. Por duket se dhe media injoron, si pa dashur, direktivën amerikane të mosnjohjes së asnjë produkti politik që buron nga Berisha. Do të thotë pra se nuk njeh as Këlliçin, si kandidat apo fitues i mundshëm, edhe pse kjo e dyta është e pamundur sipas çdo përllogaritjeje elektorale.

Po le të marrin për një moment Belindin dhe ta gjykojmë si figurë politike, e re.

Çfarë ka tërheqëse te ai, imponuese?

Me ç’risi vjen në politikë? Cila është narrativa e tij e veçantë, tipologjia politike gjithashtu?

Në ç’fushë është më shumë kompetent?

A ka te ai një brum kulturor që rrezaton një personalitet të mundshëm politik?

A ka ai një botëkuptim të ri, një qasje të re dhe një etikë ndryshe politike?

Vështirë që Këlliçi t’u përgjigjet kënaqshëm apo bindshëm të gjithë këtyre pyetjeve që shtrohen për të.

Madje duhet thënë se mospasja e asnjë lënde të tillë prej sa kërkohet për të dhe prej tij në formën e pyetjeve të mësipërme, e rreshton atë krah Berishës. Po të kish patur ato – risinë, kulturën, narrativën dhe tipologjinë e veçantë, botëkuptimin dhe etikën ndryshe, kompetencën në një fushë të caktuar, do ishte ne tjetër kamp politik, në tjetër rreshtim.

Mundet të ishte dhe në krye të një prurjeje të re si formacion politik. Por fakti që s’posedon asnjë potencial a talent të dallueshëm, e çojnë automatikisht te Berisha. Më tej nuk mundet.

Nuk mundet se e para nuk ka ndonjë talent të lindur për politikë dhe e dyta se nuk ka vetëdijësim deri në nivele respekti për veten. Respekt për veten do të thotë një lloj vetëedukimi për t’u ofruar në politikë si personalitet imponues, si një risi befasuese e jo si një skematik dhe klisheist gjykimesh e akuzash të mërzitshme dalë bojë, si të kesh instaluar hard diskun e Berishës brenda vetes.

Dhe nuk është vetëm ai; ngjashëm me të janë gati një skotë të rinjsh në politikë, sidomos te opozita, jo sot por në vite, të cilët edhe me shkollim perëndimor, nuk kanë ditur e nuk kanë qenë të aftë për të qenë dikushi në kuptimin risimtar, imponues, duke qenë në finale thjesht dështakë katastrofikë.

Ndaj, mu prej kësaj skote, miti i të rinjve që duhet të zëvëndësojnë të vjetrit në politike, është në vetëvete thatësirë mendimi nga ata që e promovojnë, siç janë të tillë – thatësirë mendimi, ata që mëtojnë të promovohen në emër një diplome jashtë, apo faktit se janë të rinj.

Bash prej tyre s’vjen PD në pushtet: mu pse janë aq vjetër duke qenë të rinj!(Tesheshi.com)