Një grua spanjolle ka arritur të përfundojë sfidën e pabesueshme që i kishte vënë vetes: qëndrimi për 500 ditë brenda një shpelle. Beatriz Flamini qëndroi e izoluar në një shpellë të Granadës, pa asnjë kontakt me botën e jashtme, që nga data 20 nëntor 2021, duke vendosur kështu një rekord botëror.
Gjithsesi, ashtu siç ka shpjeguar vetë në Instagram dy ditë përpara se ta niste këtë sfidë, “një ekip i madh teknik” e ka ndihmuar për sigurinë e kësaj eksperience.
Qëndrimi në shpellë prej 500 ditësh mund të përjetohet përmes një dokumentari të quajtur “TimeCave”, pasi aventurierja ka rrëfyer dita-ditës se si ka qenë sfida e saj përmes regjistrimeve të bëra me një kamerë GoPro.
Sipas gazetës “Ideal”, gjatë kësaj kohe, aventurieres i janë dashur rreth një ton e gjysmë material dhe ushqim për të mbijetuar në shpellë, përveç 1000 litrave ujë. 500 ditë në të cilat aventurierja ka shfrytëzuar gjithashtu mundësinë për të lexuar afro 60 libra, në një sfidë ku kanë marrë pjesë edhe Universiteti i Granadës dhe Universiteti i Almerisë.