Kryeministri i vendit Edi Rama ka çelur dje fushatën për zgjedhjet e 14 Majit në qytetin e Durrësit. Pas fjalës së tij ai takoi nga afër qytetarë të shumtë teksa po bëhej dhe mbjellja e pemëve.
Një zonjë e moshuar i ofroi kryeministrit të japin bashkë një mesazh shumë të rëndësishëm. Edhe pse 30 vite sipas saj ka votuar për PD-në, ajo e falenderoi kryebashkiaken e Durrësit për punën në lagjen ku jeton dhe tha se shqiptarët duhet të duan më shumë njëri-tjetrin, duke përjashtuar nuancat politike.
Qytetarja: Unë s’jam e ftuar nga asnjë.
Rama: Ke ardh vetë?
Qytetarja: Po, se 30 vjet kam votu PD-në.
Rama: Ashtu ë?
Qytetarja: Po, edhe gjithë durrsakët e dinë që unë jam me PD-në. Ku është kryetarja?
Emirjana Sako: Unë këtu jam.
Qytetarja: Së pari dua t’ju them faleminderit që mbajtët fjalën për lagjen time. Se kur kam bërë takimin e parë më premtoi që këtë lagje do ta transformojë dhe unë ju betova që nëse do më mbash llafin, e unë të ndjehem njeri, unë do votoj për ju. Ja ça bëra sot. Unë nuk e dija se kryeministri do të vinte, e mora vesh rastësisht dhe shih si erdha. Me vrap! Kështuqë faleminderit. E dyta desha të jap një mesazh, ta japim të dy.
Rama: Po më thuaj.
Qytetarja: Nuk ka rëndësi nëse unë jam e djathtë, edhe ju jeni aq i djathtë sa jam unë, se vë në dyshim fare këtë.
(Rama qesh)
Qytetarja: Ta mbjellim këtë pemën bashkë dhe t’u themi këtyre shqiptarëve: Ej nuk ka rëndësi jam blu apo e kuqe, rëndësi ka që ne ta duam njëri-tjetri dhe ta bëjmë këtë vend, se u lodhëm! Si thua?
Rama: Jam shumë dakord, hajde!
Qytetarja: Nuk ka rëndësi në është blu apo i kuq, është kryeministri im. Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë, nuk ecim dot përpara.