Prestigjiozet ndërkombëtare “Daily Mail dhe “Euronews” i kanë kushtuar artikuj promovues turizmit në Shqipëri, ndërsa e cilësojnë bregdetin e Dhërmiut “perlën e fshehur të Europës”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimet e dy prestigjiozeve ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se këto promovime të përforcojnë bindjen për një sezon edhe më suksesshëm turistik se i vitit të kaluar.

“Dy promovime të bukura e të rëndësishme nga ‘Daily Mail’ dhe ‘Euronews’, të cilat këtë javë kishin në fokus bregdetin tonë dhe Dhërmiun, që përforcojnë bindjen për një sezon edhe më të suksesshëm se i vitit të kaluar, por ama me “detyrën” e shtuar për të gjithë në përmbushjen e pritshmërive duke garantuar standardet e shërbimit dhe pastërtisë”, tha Rama.

Në shkrimin e publikuar në “Daily Mail”, fshati bregdetar i Dhërmiut është quajtur “perla e fshehur e Evropës”.

Blogerët e udhëtimeve Scott dhe Sal, nga Britania e Madhe, dokumentuan qëndrimin e tyre në Dhërmi, të cilin e konsideruan ”Balin evropian”.

“Ndërsa shumë vizitorë evropianë po vërshojnë në plazhet e mbushura me turistë grekë dhe italianë, të tjerë kanë rezervuar një udhëtim në qytetin spektakolar, i cili është cilësuar si një nga vendet e fshehta në kontinent. Aventurierët po shkojnë drejt perlës së fshehur të ëndërruar, i ngjashëm me Balin, që ofron plazhe të kristalta të pastër, peizazhe mahnitëse, bare, hotele dhe restorante luksoze”, thuhet në artikullin e “Daily Mail”.

Ndërsa Euronews promovon ofertën turistike që ofron Riviera shqiptare, ndërsa fton vizitorët të zbulojnë këtë xhevahir të fshehur të Mesdheut.

Në artikullin e “Euronews” Shqipëria konsiderohet si një destinacion ende i panjohur në skenën turistike europiane.

“Nëse jeni në kërkim të plazheve më të bukura, drejtohuni në Rivierën shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora në Ksamil. Nuk do të zhgënjeheni duke vizituar Dhërmiun, një nga plazhet më të gjata dhe më të njohura në Shqipëri. Edhe pse është e gjallë me bare, mund të tërhiqeni lehtësisht në një cep të qetë për të shijuar qetësinë e detit.

Nëse dëshironi të eksploroni më shumë, drejtohuni në jug për në Ksamil, ku do të shpërbleheni me ujëra të pastër kristal dhe tre ishuj të vegjël që janë afër. Kjo parajsë e vogël është e përkryer për udhëtarët që kërkojnë aventura”, thuhet në artikullin e Euronews.