Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Bashkia Shkodër se nuk po jep hapësira të ndërtojnë Ujësjëllësin. Në fjalën e tij në një takim në Shirokë, Rama tha se kanë lidhur kontratën për nisjen e punës, por që kjo gjë s’po bëhet e mundur për shkak të pengesave që u nxjerr Bashkia.

“E kemi bërë projektin për ujësjellës, e kemi lidhur kontratën për të nisur punën. Bashkia Shkodër nuk na jep lejen. Nuk jep lejen të të vijë uji dhe me sa më rezulton jo vetëm që shkon në çezmat e të gjithëve, nuk më rezulton që kur duan ujë, e duan blu, por e duan të pastër.

Kurse ata duan që demokratë e socialistë të kenë etjen blu. Kjo është mesjeta e thellë në mendjen e atyre që drejton sot bashkinë. Kurdo që kemi pasur mundësi të bëjmë punë për Shkodrën, e kemi bërë.

Nuk e di si funksionon në mendjen e ndonjë të djathti por s’më ha mendja të jetë llogaria e saktë që do njeri të shkojë në Velipojë duke u futur nëpër gropa. Dhe e bëmë rrugën Shkodër-Velipojë. Edhe atë të Thethit ne e bëmë. Në Belsh ka më shumë turistë se në Shkodër, është turp. në Belsh punon bashkia kurse këtu nuk pastrohen as rrugët, as koshat e plehrave”, tha Rama.