Kryeministri Edi Rama është kthyer sërish në Athinë ku pasditen e kësaj të premteje po merr pjesë në forumin e Delfit. Kreu i qeverisë është pjesë e një paneli ku flitet për politikën e jashtme. Kryeministri Rama është ndalur në disa çështje në fjalën e tij.
Ai u shpreh se hapja e negociatave do ta ndihmojë Shqipërinë dhe se ka një frymë të re në marrëdhënien mes vendit tonë dhe BE-së.
Por Rama nuk ngurron të thotë se BE-ja e shtyu pa argumente bindëse procesin e anëtarësimit për Shqipërinë.
“Liderët e BE-së e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një film në Netflix. Na lanë vetëm në një rrugë të gjatë, shtynë pa argumente bindëse procesin e negociatave të anëtarësimit. Ka një frymë të re në marrëdhënien tonë me BE.
Hapja e negociatave do ta ndihmojë Shqipërinë. Jemi të detyruar ta shikojmë BE si të vetmen dritare për përmirësim”, u shpreh Rama.
Sa i përket Kosovës, ai u shpreh se ka qenë çmenduri nga ana e liderëve të BE-së mosliberalizimi i vizave. “E mbajtën peng për vite me radhë”, tha Rama.
Për Serbinë përsërit se nuk është pro presionit për shtimin e sanksioneve. “Nuk jam pro presionit për shtimin e sanksioneve, serbët varen nga gazi rus”, tha ai.
Rama ka folur në Athinë edhe për raportet me presidentin e Turqisë, Erdgoan, të cilit i vlerësoi punën për shndërrimin e Turqisë.
“Jam mik i ngushtë i Erdogan, ka bërë një punë të shkëlqyer për shndërrimin e Turqisë”, është shprehur Rama.
Në mbrëmje, Rama dhe të gjithë liderët që janë pjesëmarrës në forum janë ftuar në një darkë nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.