Kryeministri Edi Rama mesditën e kësaj të shtunë ka qenë në Libohovë ku ka prezantuar kandidatin për në krye të kësaj bashkie.
Rama në fjalën e tij është shprehur se është e rëndësishme që me 14 maj, në Libohove me votën e tyre të shkohet përpara dhe të vijojnë projektet e nisura.
Ndër të tjera kreu i qeverisë ka theksuar se është e vështirë të mendosh se nëse tek tuk në ndonjë bashki do të vijë ndonjë nga ato do të kemi pengmarrje për atë bashki, pasi ato duan vetëm zyrën jo të bëjnë investime.
“Ne kemi vijuar dhe do të mbështesim zhvillimin e kësaj zone që është e bekuar nga Zoti, nga poaraardhësit që i kanë lënë xhevahire të panumërta kësaj zone. Edhe Gjirokastra, Dropolli, apo për të mos folur për Memaliaj, Tepelenën që ishin në një gjendje të mjerueshme pasi askush nuk kthente kokën me pa këto zona. Monumentet e kulturës ishin në fund, pa u prekur me dorë.
Ne sot duam që ta vijojmë këtë punë, dhe jeni ju që na e jepni këtë mundësi, nëse nuk do të kishim Lizën këtu ne nuk do të mund të bënim asgjë për Libohovën. Por ishte ajo që mundi të na çonte përpara projektin.
Unë e kam përsëritur dhe shpesh do e them se kthimi pas me një votë që shkon qorrazi, tek tuk, tek ato që nuk kanë ardhur këtu për të vijuar punën dhe për të çuar para Libohovën, por duan ta marrin peng nga e para siç e kishin. Do të bëjë që ne nuk do të mundemi dot që ta mbështesim por është e pamundur më pas mbështetja, sepse ato as nuk dinë dhe as nuk duan.
Në 31 vite që janë bërë zgjedhjet pluraliste vendore nuk ka një shembull që të vërtetojë këtë që unë po them. Ato marrin pushtetin dhe zyrat, fusin brenda çetën e tyre dhe nuk ka më asgjë për komunitetin. Me ca dembelë, mediokër, fanatikë që bëhen bashkë për të parë punët e tyre.
As donatorët nuk do të investojnë më në ato bashki që merren peng nga dy njerëz. Ato vetëm shajnë, kërcënojnë, konfliktohen sherri shamataja e kudo. Këtu përveç karrigeve për tu ulur të gjithë ne nuk ka as ekrane të mëdha, as postera, ato do të jenë vetëm në fazën e fundit pasi aty ato janë të paevitueshme, të gjitha këto janë para që do të shkojnë për blerjen e pemëve”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai ka thënë se vetëm në Shkodër vijon avazi i deridjeshëm i plehrave që qelben në mes të lagjes, pasi ato nuk kanë asnjë sens të dhembshurisë dhe të kujdesit, por bashkëjetojnë me pisllëkun si një pjesëtar të koalicionit.