LEZHË- Ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama ka qenë Lezha ku ka prezantuar kandidatin Pjerin Ndreu. Kryeministri iu drejtua qytetarëve që të mos bëjnë një gabim e të votojnë dyshe Sali Berisha dhe Ilir Meta. Në fjalën e tij, Rama tha se për aq kohë sa Berisha nuk bëri asgjë kur nuk e kishte “damkën Non Grata”, nuk mund të bëjë kurrsesi asgjë më shumë.
“Fatkeqësi që të kthehej pas në duart e atyre që është shumë kuptimplotë, por është njëkohësisht dhe shumë e hidhur në 30 vite që kur ka zgjedhje vendore demokratike nuk kanë arritur të krijojnë një shembull të një bashkia apo komune që nën drejtimin e tyre nuk ka shkuar mbrapa, por përpara. Tropoja ka ndryshuar aq sa nuk ka ndryshuar për 25 vjet, ne mund të të tregojë Malësinë e Madhe, Kukës, e s’po flas për Bashki të tjera që kemi qeverisur për një kohë më të gjatë. Këto nuk janë zgjedhje kombëtare dhe as për t’i parë politikisht gjërat. Dhe po t’i shohim është e pakonceptueshme që ta çosh votën te një njeri që izolohet, siç është izoluar kryetari, u premton çudira që nuk i bëri as nuk nuk kishte damkën. Dy hije të së shkuarës dhe që duan të kapin ça të kapin, një bashki këtu, një atje, për hallin e tyre për t’i treguar botës që duhet të kaloni nga ne dhe se sado na damkosni ju, ne jemi këtu”, tha Rama.
Përballë Pjerin Ndreut është kandidati Pashk Gjoni. Rama tha se nuk e njeh Gjonin personalisht, por shtoi se i mjafton fakti që ai kandidon për dyshen Berisha-Meta, për të kuptuar se është zgjedhja e gabuar.
“Janë disa Bashki ku njerëzit duhet të ftillohen, këto zgjedhje janë mes një njeriu të aftë dhe të përkushtuar, me kë? Nuk e njoh se kush është, po një njeri që i jep fytyrën, emrin, zërin, 2 hijeve me siguri ka një problem me sistemin e vendimmarrjes në kokën e vet, i ka humbur pini”, shtoi Rama.
Ai renditi edhe disa nga premtimet e tij, si rritja e pagës mesatare në 900 euro apo që shqiptarët të kenë të ardhura për frymë 10 mijë euro në vit. Rama shtoi se të gjitha problemet që ka qyteti, nuk mund të zgjidhen nga Meta dhe Berisha, pasi sipas tij, ato “kanë hallet e tyre më të vështira për t’u zgjidhur”.