Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë zhvilluar një takim me mjekët dhe infermierët në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ku ka dhënë detaje nga afër për rritjen e pagave që do të ndërmerren për këtë sektor.
Rama është shprehur se këtë prill do të futet në zbatim hapi i parë i rritjes së pagave për mjekët specialist, të përgjithshëm dhe infermierët duke u pasuar më pas nga prilli që vjen me një tjetër rritje.
“Rritja më e madhe historike e pagave, për të cilën kemi gëlltitur shumë gjera më durim sepse nuk është vetëm çështje dëshire, por edhe mundësish. Kur ekonomia merr frymë, rritet, kjo rritje pagash është pasqyra direkte e një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë që ka përballuar ato goditjet e forta që ju i dini. Keni qenë ju në vijnë e parë për të përballuar ekonominë.
Ne kemi bërë një rritje të pagave për mjakët specialist dhe nga ana tjetër kemi një zotim për rritjen me 7% të pagave për mjekët e infermierët në tërësi. Kjo do të bëhet për mjekët e përgjithshëm dhe infermierë. Paga e mjekëve të përgjithshëm, do të rritet me 59 mijë lekë, këto bishtat mos i merrni fiks se mund t’ju ndryshojnë.
Paga e infermierit do të shkojë 72 mijë, por ky është hapi i parë se në harkun midis dy prillave do e plotësojmë kuadrin, për momentin mjekët shpresoj nuk do të kërkojnë më shumë. Mjekët specialist në QSUT do e kenë pagën 174 mijë lekë, ndërsa mjekët e përgjithshëm do të shkojnë 131 mijë lekë dhe infermierët 87 mijë. Kështu që me këtë rritje praktikisht shkojmë në nivelin e lartë të rajonit. Të rinjtë që duan më shumë, edhe pse për shkak të moshës kanë bërë më pak, të thonë jo po më shumë këtu e atje“- tha Rama.
Për fenomenin e largimit të mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë për shkak të pagave më të larta, kreu i qeverisë dha këtë koment: “Ambicia jonë është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë 900 euro, nuk janë eurot e Gjermanisë, por edhe shtëpitë në Gjermani i kanë pak më të kripura, edhe transporti në Gjermani do më shumë euro, edhe kafet duan më shumë euro, ajo kafja e zezë.
Edhe muhabeti në Gjermani nuk ecën si këtu, kështu që e kombinuar, e kompensojmë deri diku por kjo është çështje zgjedhje. Krijimi i kushteve më të mira të punës është domosdoshmëri, me investimin që po bëhet edhe ky maternitet që është legjendë e mjekësisë shqiptare do të jetë perfekt“- tha Rama.