Në takim elektoral në Elbasan, ku prezantoi kandidatin Gledian Llatjan, kryeministri Edi Rama iu referua koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” si “zorrë qorre”, e cila duhet të largohet.
Sipas Ramës, “zorra qorre” e Shqipërisë na turpëron ndërkombëtarisht, ndërkohë që përsëriti premtimin e tij se një pjesë e parave të fushatës do të shkojnë për mbjellje pemësh.
“Unë e hoqa apendicitin, zorrë qorre quhet, tani duhet të heqim bashkë zorrën qorre të Shqipërisë. Se zorra qorre e Shqipërisë nuk na ndalon përpara, por na pengon të shkojmë shumë më shpejt të shkojmë përpara. Zorra qorre e Shqipërisë na turpëron ndërkombëtarisht. Siç duhet të ndihet i turpëruar çdo demokrat që i është ofruar një nga kokat e zorrës qorre.
Me mirë një tribunë më pak e shumë pemë më shumë, sesa tribuna e ekrane që kushtojnë jo pak, për t’iu treguar në ekran atë që bëjmë çdo ditë. Një pjesë të parave ua kemi lënë qyteteve, dhe nga kjo fushatë të mos mbetet pas pisllëku i posterave, apo ndotja akustike e sherrit, por të mbetet pas më shumë gjelbërim”, tha Rama.