Nga Gjirokasta ku mbajti një takim elektoral, kryeministri Edi Rama përsëriti sërish synimin e qeverisë për ta rritur pagën minimale në 60 mijë lekë. Kreu i qeverisë theksoi se deri në Prillin që vjen synojnë që ta çojnë pagën mesatare në sektoriun publik në 900 euro nga 530 euro që është aktualisht.

“Vijmë me supet e lehtësuara dhe barrës që kemi ndjerë gjatë gjithë kohës që ka të bëjë me xhepin e njerëzve, të ardhurat e familjeve, me pagat e tyre dhe sot falë të gjithë atyre përpjekjeve dhe mundimeve që njerëzit kanë bërë duke i mbështetur dhe pranuar reformat tona, ne kemi filluar rritjen më të lartë historike të pagave në Shqipëri, e cila sot ka nisur konkretisht dhe në harkun nga prilli në prillin e ardhshëm, do të bëjë që paga mesatare e atyre që kontribuojnë në sektoriun publik të jetë 900 euro nga 530 që e kemi pasur përpara nisjes së këtij operacioni masiv financiar për të fuqizuar ekonominë e familjeve të atyre që punojnë në Shqipëri dhe kjo shoqëruar me rritjen edhe më të madhe të pagave në sektorin privat. Ambicia jonë është që të shkojmë në 60 mijë lekë në pagë minimale, pa 60 mijë lekë në pagë minimale detyra jonë është e papërmbushur.“, tha Rama.

Më tej kryeministri u bëri thirrje demokratëve që të “kalojnë gardhin” dhe të votojnë për të mirën.

“Do të thoja t’ju thoja të gjithëve që është koha e kapërcimit të gardhit që janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër të gardhit në emër të ndarjeve ideologjike, e djathta apo e majta, ne ata, nuk ka ne ata kur punojmë për të garantuar një qytet apo fshat më të mirë për shqiptarët. Nuk ka neve apo ata kur bëhet fjalë për të mbajtur pastër mjedisin e përbashkët.”, tha Rama.