“Shtegu i gjelbër”, një event i kthyer në traditë tanimë, rikthehet me edicionin e tij të gjashtë. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, mbi 100 çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë e itinerarit çiklistik.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot është dhjetëfishuar numri i atyre që përdorin biçikletat, duke ulur kështu edhe trafikun në kryeqytet.
“Fakti që çdo vit ka më shumë njerëz që i japin biçikletës dhe promovojmë më shumë Tiranën, besoj se ky komunitet është një nga komunitetet më të forta, i cili i ka mbijetuar kohës kur s’kishte korsi biçikletash, që biçikleta quhej diçka periferike, ku çiklisti ‘bullizohej’ makinat e mëdha. Sot jemi në një situatë krejt tjetër: vetëm fakti që është dhjetëfishuar numri i atyre që përdorin biçikletat, çka ka ulur trafikun, që korsitë janë të mbrojtura, jo vetëm për të bërë një vijë në rrugë, por për t’u siguruar që edhe një vajzë, një zonjë, të ndihet e sigurt me infrastrukturën. Kjo do të thotë që kemi bërë diçka të mirë”, tha Veliaj.