Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranë, Roland Bejko në një takim me banorë në zonën e Kinostudios, foli për programin e tyre për transportin publik. Bejko tha se do të ofrojnë një transport publik të aksesueshëm për të gjithë qytetarët duke mundësuar lëvizjen falas për të gjithë kategoritë që nuk mundësi financiare, përfshirë pensionistët, studentët, të papunët, njerëz me aftësi ndryshe dhe ish-të përndjekurit politik. Ai premtoi biletë elektronike, që do të jetë e vlefshme për 1-javë, 1 muaj ose edhe vjetore. Sipas tij kjo risi do të eliminojë radhët e gjata për t’u pajisur me abone, pasi qytetarët do mund t’i blejnë ato online.
“Erion Veliaj ka katërfishuar-pesëfishuar taksat e qytetarëve, ne do t’i përgjysmojmë. Ka krijuar kaos në trafikun urban, se nuk ushtron kontroll ndaj kompanisë që e ka marrë këtë koncesion. Pse nuk ushtron kontroll? Ne dyshojmë se ka korrupsion, por të mos kishte korrupsion do ushtronte kontroll, do ta kontrollonte me sistem elektronik që nga zyrat e bashkisë. Sistemin urban të transportit të qytetarëve do e kishte bërë siç e ka gjithë bota me një sistem elektronik, ku qytetarët s’do rrinin në radhë për një abone, as pensionistët as të papunët. Do kishin një biletë që do u mundësonte qytetarëve të lëviznin me biletë javore, mujore dhe vjetore. Ne këtë do bëjmë. Një transport publik të aksesueshëm për të gjithë qytetarët, natyrisht duke e financuar bashkia, me ndihmë në dobi të qytetarëve që s’kanë mundësi të udhëtojnë, siç janë veteranët, studentët, të papunët, njerëz me aftësi ndryshe, ish-të përndjekurit politik. Në këto kushte bashkia nuk ka si të ofrojë një shërbim të transportit falas, sepse kategoritë e prekura do ua subvencionojë bashkia biletën. Nga ana tjetër, unë dhe ju të tjerët që zgjidhni të ecni me biçikletë apo mjete të tjera motorike, të paguan për mjetin tuaj dhe pastaj të paguani për dikë tjetër. Mund të paguajmë në solidaritetin që ka shoqëria për ata që kanë nevojë, por jo për të gjithë”, tha Bejko. Kandidati PD-së shtoi se do të ndërtohen 5 qendra polifunksionale në hyrje dhe dalje të Tiranës, të cilat do të jenë me parking mbi dhe nëntokësor. Qytetarët që do të parkojnë mjetin në këto qendra, do paguajnë një biletë me vlerë 2 euro, e cila më pas do të jetë e vlefshme për të lëvizur në linjat e transportit urban gjatë gjithë ditës në Tiranë.
“Ne mendojmë që ta shikojmë Tiranën në dy perspektiva, afatshkurtër dhe afatmesme dhe perspektiva afatgjatë për krijimin e një metropolit që të jetë i ngjashëm me vendet e rajonit, Tirana është pa tram, metro, linjë hekurudhore që ta lidhin me qytete e thjerra. Pavarësisht se ka filluar ndërtimi i hekurudhës me Rinasin, nuk dihet se kur përfundon, atë e dimë që është dhënë me koncesion të familjarët e pushtetarëve. Ne propozojmë që në hyrje të Tiranës në të gjitha arteriet kryesore, në rrugët kryesore, që vijojnë nga rrugët që vijnë në drejtim të Tiranës nga e gjithë Shqipëria, krahu i rrugës së Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Arbrit e kështu me radhë do ndërtohen 5 parkime mbi dhe nëntokësor të mëdha, do shërbejnë për parkimin e mjeteve që vijnë nga rrethet. Aty qytetarët do kenë mundësi të marrin transportin publik, kush të dojë mund të ecë me autobusë urban, të tjerët do kenë alternativë edhe autobusë ekspres, të cilët do ta sjellin pa ndalesë nga periferia në qendër dhe nga qendra në periferinë tjetër të Tiranës me dy ndalesa siç e ka gjithë bota. Ai që do parkojë mjetin, te parkimi publik, do marrë një biletë, do paguajë 2 euro. Kjo biletë do i japë mundësinë e aksesimit gjatë gjithë ditës në Tiranë deri në kthim. Një mundësi për të lehtësuar trafikun e brendshëm në tiranë”, deklaroi Bejko.
Po ashtu, qytetarët në çdo stacion autobusi do të kenë mundësi të shohin hartat e udhëtimit të autobusëve.
Programi për transportin:
1- Në të gjitha lagjet e reja që do të ndërtohen në Tiranë do të jetë domosdoshmërish prezenca e një parku, i cili do të përmirësoje cilësinë e ajrit dhe lidhjet me pjesët e tjera te qytetit do të jenë të garantuara nga rrugë të gjera me së paku 4 korsi, trotuara, rrugë për biçikletat dhe linja të shpeshta autobusësh.
2- Të gjithë autobusët urban do të kenë në pikat e ndalesës së tyre oraret e mbërritjes dhe të nisjes dhe vonesat relative në tabelat elektronike të lidhura me vendndodhjen e autobusëve. Në oraret me trafik më të rënduar do të shtohet numri i autobusëve. Në çdo pikë ndalimi të autobusëve qytetarët do të kenë mundësinë të shohin hartat e udhëtimit të autobusëve dhe pikat e shkëmbimit me linjat e tjera. Në të njëjtën kohë do të hartohen, aprovohen dhe implementohen abone 3 mujore, 6 mujore dhe 1 vjeçare për mjetet publike për të gjithë qytetarët e Tiranës të cilët nuk do te kenë detyrimin të mbajnë radhë të gjata në kioskat e shekullit të kaluar, por do të kenë mundësinë t’i blejnë këto abone online.
3- Ndërtimi i parkimeve shumëkatësh mbi dhe nën nivelin e tokës për 5 pikat hyrëse në Tiranë. Te mbikalimi i Kamzës, në hyrje te Kombinatit, pranë TEG-ut dhe në fillimin e rrugës së Arbrit, me kosto ditore prej 200 lekë. Kuponi i marrë në këto parkime do të vlej edhe si biletë ditore për qytetarët, që të lenë automjetet në këto pika dhe të vijojnë udhëtimin drejt qytetit me mjetet publike.
4- e-transport . Biletë unike elektronike. Formatimi i stacioneve të kronometruara urbane.