Roland Qafoku
Pas Tiranës, sytë dhe mendja e të gjithëve në zgjedhjet lokale të 14 majit janë drejtuar në trekëndëshin Elbasan-Durrës-Shkodër. Janë tre bashkitë që pas kryeqytetit gara pritet të jetë nga më të fortat, më interesantet dhe me shumë rëndësi politike për të dy forcat e mëdha PS dhe koalicioni “Bashkë fitojmë”. Me largimet masive të shqiptarëve jashtë, me lëvizjet demografike brenda vendit dhe me përqëndrimin e ekonomisë në këto tre qytete, rezulton se pas Tiranës kjo nuk është vetëm një zonë gjeografike e rëndësishme në Shqipëri, por një trekëndësh me rëndësi të madhe politike. Me një humbje të mundshme në Tiranë, Partia Demokratike mund ta quajë fitore të zgjedhjeve nëse arrin fitore në këto tre bashki. Dhe ka të drejtë ta bëjë këtë. Ajo ka jo vetëm potencialin demokrafik më të madh pas Tiranës, por edhe atë ekonomik, politik sepse aty janë gati disa nga projekte më të mëdha infrastrukturore të vendit. Kjo është arsyeja që të dy forcat e mëdha në vend PS dhe PD kanë karikuar bateritë pikërisht në Elbasan, Durrës dhe Shkodër, ndoshta edhe më shumë se Tiranën në të cilën beteja duket më e sigurtë për kandidatin socialist. Fakti që në të tria këto bashki PD-ja zyrtare nuk ka caktuar kandidat duke lënë të vetëm atë të koalicionit “Bashkë fitojmë” e konfirmon akoma më shumë këtë rëndësi.
BETEJA PËR ELBASANI, GLEDJAN LLATJA ME LUÇIANO BOÇIN
Pas një mandati në krye të bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja ka përpara një garë të vërtetë. Ndryshe nga zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 në të cilat opozita nuk kishte kandidat, këtë herë përballë ai do ketë Luçiano Boçin e koalicionit “Bashkë fitojmë”. Llatja ka avantazh eksperiencën e fituar për 4 vjet si kryebashkiak dhe krijimin e një profili të vetin lokal pas përfundimit të epokës së Qazim Sejdinit. Ndërsa Boçi ka avantazh faktin që në këtë përballje vjen me profilin e një politikani të nivelet të lartë dhe skalionit të parë në politikë duke lënë mandatin e deputetit për të garuar për bashkinë e Elbasanit. Por sa janë gjasat për të fituar secili? Llatja ka pas logon e rëndë të PS-së dhe kjo e avantazhon për shumë arsye që nisin që nga zotërimi i kësaj force politike të pushtetit qendror, boshllëku që krijoi PD me largimin nga zgjedhjet e 30 qerhsori 2019 e deri te situata në të cilën opozita ndodhet. Por a mjaftojnë këto? Largimi i Taulant Ballës si drejtues i qarkut të Elbasanit mund të kthehet në disvantazhin e parë për Llatjan dhe PS-SË. Pavarësisht teorisë së “qarkullimit të kuadrit”, Balla tashmë njihet si një ujk i vjetër i grumbullimit të votave dhe në Elbasan do ishte një aset mjaft i vlefshëm për PS-në. Sado Damian Gjiknuri të përpiqet duk i shtuar rëndësinë e statusit të ri të lartë të Sekretarit të Përgjithshëm, Balla ishte kthyer në një markë politike për PS-në në këtë qark. Një tjetër problem në Elbasan për PS janë grupet kriminale që janë përzjerë shpesh edhe në fushata dhe zgjedhje. Kjo ka krijuar një disavantazh për Llatjan dhe askush nuk e di se çfarë ndikimi ka kjo në elektorat. Nga ana tjetër Luçiano Boçi ka avantazh që është një format intelektual dhe ka një mbështetje në këtë komunitet në Elbasan. Por nga ana tjetër Boçi ka ngërç të madh faktin e përçarjes së PD. Një elemnt që tregon avantazhet dhe disaavantazhet janë edhe sondazhet e kryera deri tani. Në një sondazh më 19 prill nga Instituti “Piepoli” në Report TV, Gledian Llatja ka një pëlqyeshmëri më të lartë në publik që shkon nga 49 deri në 53 për qind, ndërsa Luçiano Boçi vlerësohet nga 36 deri në 40 për qind ndërkohë që 9 deri në 13 për qind nuk preferojnë asnjë kandidat. Edhe në sondazhin e Top Channel “Angi Richerce” Llatja rezulton më i avantazhuar. Qytetarët e Elbasanit preferojnë kryebashkiakun aktual të Elbasanit Gledian Llatja me 52.7 për qind, ndërsa kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Luçiano Boçi me 33.7 për qind. A do arrijë Boçi të rikuperojë këtë diferencë deri më 14 maj? Sot është ende herë ti përgjigjesh kësaj pyetje. Në situatën që ndodhemi kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Gara pritet të jetë e fortë dhe pavarësisht avantazheve, të dy kandidatët kanë shanse të jenë fitues. Dhe këtu si një politikan i vjetër. Luçiano Boçi mund të rikuperojë shumë në ditët në vijim.
BETEJA PËR DURRËSIN, EMIRIANA SAKO ME IGLI CARËN
Durrësi pritet të jetë edhe beteja më e fortë e këtij trekëndëshi. Projekti madhor të Portit të Durrësit e shndërron bashkinë e këtij qyteti në një bast të fortë të kryeministrit Edi Rama. Sigurisht që bashkia nuk ka asnjë lidhje me projektin që është “pronë” e qeverisë dhe i votuar në parlament, por një bashki e drejtuar nga socialistët për këtë projekt do ishte një gjë më e mirë se një bashki e PD me një prejekt të kundërshtuar fortë nga kjo forcë politike. Prandaj Emiriana Sako dhe Igli Cara janë në një garë shumë më të fortë se në kushte te tjera. Madje, në planin personal kryeministri Rama e cilëson Durrësin shumë herë më të rëndësishëm edhe se çdo bashki tjetër duke përfshirë edhe Tiranën. Por sa janë shanset të fitojë Sako dhe sa janë shanset të fitojë Cara. Kryebashkiakja aktuale vjen me avantazhin se është në detyrë dhe tashmë ka një lloj eksperience. Ajo ka avantazhin se PS e ka marrë prej dorë këtë bashki dhe ka fituar çdo betejë duke krijuar oazin e vet. Prapa ka pesha të forta të PS që e mbështesin por edhe deputetë dhe ish-deputetë që kanë peshë në këtë qytet. Defekti i Sakos është që nuk e ka rritur profilin e saj duke i lënë shkak kundërshtarëve politikë ta cilësojnë të padukshme e deri të panjohur. Sako duhet të kishte krijuar një profil të vetin mediatik dhe jo të shmangej nga daljet, intervistat apo përballjet. Ndërsa Igli Cara ka avantazh të qenit në politikën e lartë që nga vitit 1990. Deputet dhe me detyra të larrta politike ai është njohës shumë i mirë i skemave dhe ka nuhatje politike. Por Cara ka disavantazh prapavijën politike. Jo vetëm përçarja e PD por edhe mbështetja formale që i ka bërë Berisha mund ta dëmtojnë atë. Cara po synon që fushatën ta drejtojë te problemet konrkete të bashkisë, por kjo është në kundërshtim me atë që po bën Berisha që sa herë që ka në fokus Durrësin përqëndrohet te politizimi i skajshëm gjë që mund tia dëmtojnë fushatën. Megjithatë ajo që ka surprizuar të gjithë është se sondazhet tregojnë se diferenca për Durrësin mes dy kandidatëve është shumë e vogël. Nga sondazhi i institutit “Piepoli” Emiriana Sako paraqitet kryesuese me 49 për qind të votave por që mund të arrijë deri në 53 për qind. Ndërsa për Carnë votat shkojnë nga 47 për qind por që mund të arrijë në rreth 51 për qind. Sondazhi i “Top Channel” “Angi Richerce” e avantazhon Sakon shumë ndaj Carës. Pyetjes kryesore se kë do votonit ne zgjedhjet e 14 Majit, 48,7 për qind e banorëve të Durrësit u shprehën pro kandidates socialiste Emiriana Sako dhe 42,3 për qind për Igli Carën. Kjo tregon se si Sako dhe Cara kanë shanse pothuajse të barabarta dhe ditët në vijim do tregojnë shumë për mënyrën se si do performojnë kandidatët.
BETEJA PËR SHKODRËN, BENET BECI ME BARDH SPAHINË
Partia Socialiste me Benet Becin dhe koaliconi “Bashkë Fitojmë” me Bardh Spahinë do masin forcat për një betejë që ka shumë të veçanta në Shkodër. PS e ka kthyer në bast të vetin këtë bashki të cilën nuk e ka drejtuar asnjëherë në këto 31 vjet. Në fakt, në zgjedhjet e vitit 2019 PS fitoi lehtësisht pa patur përballë kandidatin e PD, parti e cila bojkotoi zgjedhjet. Valdrin Pjetri fitoi por ai nuk e mori detyrën sepse dha dorëheqjen pas akzuave të PD se ishte dënuar në Itali për trafik droge. Kjo krijoi boshllëk dhe në vend të tij vijoi detyrën si kryebashkiake Voltana Ademi deri më 6 mars të vitit 2022 kur në zgjedhjet e pjesshme fitoi Bardh Spahia i “Foltores” në koalicion me LSI përballë Majlinda Angonit të PS Dhe Xhemal Bushatit të PD-së zyratre. Por tashmë situata ka ndryshuar. PD synon ta ruajë bastionin e saj të palëkundur, ndërsa PS ka hedhur të gjithë arsenalin e saj në Shkodër. Duket se Beci si drejtor dikur i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka armën më të fortë projektet e qeverisë. Të shtunën ai paraqiti vërtetë një vepër ambicioze në 3D për të tërhequr shkodranët ta votojnë për kryetr. Një financim 100 për qind i qeverisë projekti përfshin ndërtimin e një parku të madh buzë lumit Buna duke krijuar hyrje dinjitoze në këtë qytet me elemente sportive por edhe me funksione rekreative. Nëse një ditë kjo realizohet, patjetër që Shkodra do ketë kartolina me pamje shumë më të bukura se ajo e viteve 1900 të Pietro Marubit. Një tjetër avantash është edhe fakti që Agron Çela i Partisë së Lirisë që njihet si një rezervuar votash në këtë qytet kaloi me PS. Ai ishte një nga 4 deputetët e kësaj force politike dhe mbështetja e tij nuk është pak për këtë garë. Nga ana tjetër Bardh Spahia ka si aset të qënit të Shkodrës si bastion i djathtë. Por edhe faktin që PD zyrtare këtë herë nuk ka kandidatin e saj. Edhe sondazhet janë shumë interesante për Shkodrën. Instituti “Piepoli” në Report TV jep të avantazhuar Bardh Spahinë me 62 për qind kundrejt 38-42 për qind ndaj Benet Becit të PS. Edhe sondazhi i Top Channel “Angi Richerce” i jep përparësi Bardh Spahisë së koalicionit “Bashkë fitojmë” me 53 për qind ndërsa Benet Becit 47 për qind. Kjo tregon se diferenca që është ngushtuar ndjeshëm mund edhe të kapërcehet nga Beci. Edhe në Shkodër ka shumë rëndësi mënyra se si do performohet në fushatë në ditët në vijim.