Kryeministri Edi Rama tha për gazetarin e Report Tv, Arbi Fortuzi se rritja e pagave të administratës do të detyrojë bizneset private që të rrisin pagat. I pyetur se si do të rriten pagat në sektorin privat, Rama tha se qeveria nuk ka asgjë tjetër në dorë përveç rritjes së pagës minimale. Kreu i qeverisë tha se do të vijojnë takimet me bizneset për t’i nxitur për rritjen e pagave.
“Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër dhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuar. Nga kjo sektori privat do të jetë i detyruar të rrisë pagat. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Sot jemi në një situatë ku kemi filluar një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë, e mbrojtjes së kapitalit njerëzor. Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja pozitive nga sektorët private. Natyrisht do të marrim dhe masa tjera. Për ne nuk është vetëm rritje pagash por dhe mbrojtje e punonjësve dhe punëtorëve në kompani të ndryshme nga shfrytëzimi”- tha ai.