“Shumë investime kemi bërë në zonën e Durrësit të ri dhe shumë të tjera do të realizojmë në mandatin e ardhshëm”. Kështu është shprehur kryebashkiakja dhe njëkohësisht kandidate e PS për bashkinë e Durrësit Emiriana Sako në takimin me gra dhe vajza të zonës së Durrësit të Ri. Sako tha se në tre vite të drejtimit të bashkisë nga ana e saj kjo zonë ka pasur vemendjen maksimale të saj falë investimeve që janë kryer ndërkohë që bashkëbisedoi me gratë e vajzat për projektet e planifikuara në vazhdim.
“Zona e Durrësit të ri ka pasur vëmendjen time se unë i kam parë të gjithë sit ë barabartë. Është zonë ku ndërthuret kultura. Në mandatin që vjen do të investojmë akoma më shumë. Punën do ta nis nga kjo zonë me rikonstruksionin e shkollës. Do ndërtojmë qendër të re shëndetësore e një kopësht”, tha Sako.
Sako ka thënë në këtë takim se puna e bashkisë në këto 3 vjet u përqendrua më së shumti te rindërtimi, duke realizuar ndërtimin e 744 shtëpive dhe apartamenteve nga e para. Në zonën e ish Kënetës janë ndërtuar 3 akse të reja rrugore, ndërkohë që po mbyllet edhe rruga “Azem Hajdari” dhe “Vala e detit”. Bashkia ka planifikuar edhe korsi bicikletash dhe gjelbërim në këto akse rrugore. Në vëmendje të bashkisë për këtë zonë janë edhe programet sociale, por edhe strehimi nga programet e strehimit si ai i banesave sociale dhe kredive të buta. Banorët janë njoftuar edhe për rikonstruksionin e shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” si dhe ndërtimin e një kopshti dhe qendër të re shëndetësore.