Teksa hyjmë në dy javët e fundit të fushatës elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidatët për kryebashkiakë kanë vijuar me takimet e tyre me banorët e qyteteve dhe zonave të ndryshme duke shpalosur programet e tyre.
Retorika politike deri më tani shihet e përqendruar mes liderve të mazhorancës dhe opozitës të cilët në takimet që bëjnë me qytetarët kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako gjatë një takimi të zhvilluar për barazinë gjinore me temë “Shoqëria fillon me të drejtat e gruas”, tha se bashkia ka bërë shumë në mbështetje të grave dhe vajzave dhe se këto të fundit kishin qenë mbështetje e madhe gjatë mandatit të saj 3 vjeçar si kryebashkiake.