Në kremtim të muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe ne respekt të traditës shumëvjeçare, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Të ftuarit i përshëndeti bashkëshortja e Kryeministrit, zonja Linda Rama:

Të dashur miq e të ftuar,

E vërtetë, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq! Edhe apendisiti i Edit mund të them që nuk paska ardhur vetëm për keq pasi, falë ndërhyrjes për heqjen e tij, në vend që sonte të dëgjoni një fjalë të gjatë nga Edi do të dëgjoni një përshëndetje të shkurtër nga unë.

Ju uroj mirëseardhjen në këtë sofër tradicionale iftari në të cilën muslimanë, të krishterë, besimtarë ose jo, ndajnë bukën në përulje dhe respekt të një rituali të gjithëpranuar që kremton njeriun, jetën, sakrificat e shpërblimet e saj.


Ekzaktësisht 100 vite më parë, në vitin 1923, Këshilli i Naltë Musliman i drejtohej Kryeministrisë me një shkresë për të lajmëruar themelimin e Komunitetit Musliman Shqiptar. Me postulatin “dashuria për Atdheun rrjedh nga besimi” dhe me vendimin për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë të liturgjisë islame myslimanët shqiptarë kishin rrokur qysh në lindjen e tyre si komunitet, një vizion paqeje në atdhedashuri dhe progres.

Sot, 100 vjet më pas, ky vizion i paqes dhe progresit, përqafuar natyrshëm nga krejt komunitetet fetare, është mishëruar në shembëlltyrën rrezatuese të harmoninë fetare, pasuri e çmuar e shqiptarëve, dhuratë e vyer për familjen e kombeve europiane dhe shembull për çdo vend ku shqiptarët jetojnë e punojnë. Nëpërmjet harmonisë kemi përballuar kështu përgjegjësinë për të qenë shembull, çka është dhe një prej virtyteve të renditura të vetë Kuranit.

Të jesh shëmbull i virtytit nuk është e lehtë, përkundrazi, sipas Kuranit Famëlartë, të jesh shëmbull i virtytit është një përgjegjësi e vështirë dhe e rendë.

Mirë apo keq?
Puna dhe virtyti apo mashtrimi dhe zilia?

Janë këto pyetjet e mëdha që nxit edhe muaji i madhërishëm i Ramazanit, në një kohë si kjo e jona ku shembulli individual i virtytit është i nevojshëm mbase më shumë se kurrë më parë.

Sepse sot, dritaret e komunikimit mes nesh janë të pakufishme dhe fluksi i informacionit gjithashtu. Duke krijuar një mundësi të panjohur më parë për ta rrokur botën, të mirën dhe progresin, por dhe duke shtuar në mënyrë thuajse mbytëse presionin për t’iu dorëzuar tundimit, vanitetit, egoizmit, lehtësisë së padurueshme të qenies, siç thotë titulli i një libri të famshëm.

Janë të shumtë fatmirësisht edhe pse fatkeqësisht të neglizhuar, shembujt e virtytit ndër ne, të cilët me zgjedhjen e tyre dhe punën e tyre të përditshme e bëjnë shoqërinë më të mirë, atmosferën mes nesh më të paqtë dhe mjedisin më të shendetshëm.

Në 30 orët e qëndrimit me Edin në spital pata mundësinë të jem mes një ekipi mjekësh dhe infermieresh të perkushtuar. Aida, Ela, Anxhela, Sonila, Elena, Delina ishin vajzat që kujdeseshin si flutura mbi kryet e pacientëve pa e thyer heshtjen dhe pa e humbur zhdërvjelltësinë mbresëlënëse të duarve, bashkë me buzëqeshjen inkurajuese, përgjatë orëve të avashta të natës.

Teksa rrija e ulur në karrike, pak pas mesnatës, njëra prej tyre më afrohet dhe më pyet me zë të ulët: T’ju sjell një jastëk?

E më parë erdhi se sa iku duke më lënë në dorë një jastëk të vogël që e mbajta nën qafë gjatë gjithë natës. Në të zbardhur pashë që jastëku që kish qëndruar me mua ishte një jastëk bebesh, me një rosak të qëndisur me dorë në mes të tij. I kujt është ky jastëku që ma lehtësoi natën mua, e pyeta. I vajzës time, tha. E mbaj pranë në orët e natës, kur jam në punë. Uroj tju ketë shërbyer. E pashë me admirim për shpirtin e saj dhe e pyeta si quhet vajza? Ajlina tha dhe i qeshën sytë.

Ajlina, ëngjëlli me emrin e vjetër musliman që do të thotë sublimja, kishte qendruar me mua si “ dritë e hënës” dhe “ dhuratë e Zotit” në një natë të vështirë në muajin e Ramazanit.

Dhe me këtë mbresë të pashlyeshme të njerzillëkut shembullor, duke uruar që paqa, shëndeti e mbarësia t’ju prijnë familjarisht, lejomëni t’i uroj posaçërisht edhe besimtarët muslimanë që agjërimi i tyre të jetë i pranuar.

Faleminderit!