Autoritetet në Kenia kanë udhëruar zhvarrosjen e 21 trupave në Malindi, si pjesë e një hetimi ndaj një predikuesi i cili iu kishte kërkuar ndjekësve që të mos ushqeheshin, në një ritual që sipas tij do t’I bënte të ishin pranë Zotit.
Mes trupave të zhvarrosur kishte dhe fëmijë, teksa policia dyshon se numri i viktimave mund të jetë dhe më i madh.
Sekti i përkiste “Kishës Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë”, ndërkohë që trupat e pajetë ishin varrosur në pyllin Shakahola.
Aktualisht predikuesi Paul Mackenzie Nthenge ndodhet në paraburgim në pritje të vendimit të drejtësisë për gjykimin e tij.
Prifti i ka mohuar të gjitha akuzat, duke shtuar se Kisha është mbyllur në vitin 2019, teksa autoritetet i mohuan kërkesën e lirisë me kusht.
Disa ish-besimtarë të këtij kulti në dëshminë e tyre, tregojnë se predikuesi iu kërkonte që të mos hanin bukë pasi vetëm në këtë mënyrë mund të “takoheshin me Jezusin”.
Mediat kenian shkruajnë se trupave të viktimave po iu bëhet testi i ADN dhe disa të tjera për të zbuluar nëse vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e mosushqyerjes.