Për herë të parë në Shkodër ka një betejë elektorale që ka bërë socialistët shkodranë të ëndërrojnë. Dhe nuk është për shkak të kandidatit të opozitës Bardh Spahia. Ai nuk është një kandidat i dobët, siç duan ta sulmojnë. Përkundrazi është shume herë më i mirë nga shumë kryetarë bashkish që ka pasur Shkodra këto tridhjetë vjet. Kjo, për shkak se në Shkodër PD e ka pasur garën vetëm brenda saj derisa të caktohej kryetari. Pasi caktohej, ishte i fituar. Spahia mund të ketë probleme me grupe brenda ish-partisë së tij, por nuk e ka këtë për shkak të performancës së tij, pro për shkak se në Shkodër pas kaq vitesh opozitë, i vetmi vend pune është kryetar bashkie.

Të dy kandidatët vijnë nga një origjinë familjare e njohur e së djathtës në Shkodër. Ali Spahiu ka qenë mjeku disident, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike deri në vitin 1997, një figurë emblematike, si një antikomunist i palëkundur, që bezdinë ndaj rrymave të tjera të majta në PD, përfshi dhe Berishën e shprehte vetëm me shtrëngim nofullash për të mos folur.
Benet Beci, i cili po vë në pikëpyetje traditën e fitoreve të së djathtës në Shkodër, vjen nga një familje tradicionale shkodrane, djali i gjuhëtarit të njohur Bahri Beci, i cili është mbrojtësi më i madh i integrimit të gegnishtes në normën zyrtare të gjuhës shqipe, vendosur nga Kongresi i Drejtshkrimit. Më shumë se sa të djathtën, familja e tij përfaqëson një linjë konservatore të së djathtës shqiptare.

Në këtë aspekt, beteja nuk është mes ish-Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, por mes dy familjeve demokrate në Shkodër, njëra prej të cilave ka dhe mbështetjen e Partisë Socialiste, që vazhdon të jetë pakicë në atë qytet. Për këtë arsye, është hera e parë që socialistët ëndërrojnë fitoren në Shkodër. Por përtej Shkodrës, shumë socialistë në pushtet, nuk është se janë shumë të gëzuar me atë që ndodh në Shkodër. Projektet e shtrenjta që prezanton Benet Beci, qysh nga Porti i Bunës dhe deri tek ndërhyrjet e tjera në infrastrukturën e qytetit dhe zonën përreth, kanë trembur çdo kryebashkiak të sigurt socialistë që fiton më 14 Maj nga Tirana në Sarandë.

Dhe nuk është se nuk kanë arsye të tremben. Basti i Edi Ramës për të marrë Shkodrën mund të zhvendosë gjithë investimet e pushtetit lokal në Shkodër, vetëm për tu treguar se u ka ikur jeta kot për tridhjetë vjet. Është kjo arsyeja që bashkiakët socialistë, të sigurt në fitoren e tyre aty ku janë, nuk kanë aq dëshirë të fitojë dhe Beneti në Shkodër. Aq më tepër që dhe Benetin nuk e kanë socialist.
Ndaj beteja në Shkodër ngjan më shumë betejë mes dy demokratëve të vjetër dhe nuk u duket betejë e tyre. U duket si betejë që mund tu marrë pjesën e tyre të parave që ëndërrojnë.