Shqipëria shënon 14 vjetorin e anëtarësimit zyrtar të saj në NATO. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009.
Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Lidhur me këtë ditë të rëndësishme, ka reaguar presidenti Bajram Begaj, i cili thotë se Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen dhe sigurinë. Ambasada e SHBA thotë së Shqipëria është një partnere e besueshme dhe mezi pret të vazhdojë të punojë me vendin tonë drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt.
“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribuues për paqen dhe sigurinë”, shkruan Begaj.
Para, por edhe pas anëtarësimit, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.
Në periudhën 1992-1999, Shqipëria vazhdoi përpjekjet rreth procesit të aderimit, duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë.