Shtetasve ukrainas që ndodhen në Shqipëri iu është shtyrë qëndrimi deri në datën 17 shtator 2023. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe mban firmën e kryeministrit Edi Rama.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.173, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE UKRAINAS, PERSONAVE PA SHTETËSI DHE PERSONAVE QË KANË FITUAR MBROJTJE NDËRKOMBËTARE NË UKRAINË, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË UKRAINË, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 3, të vendimit nr.173, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Me përfundimin e afatit, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, për personat që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi deri në datën 17.9.2023.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA