Sali Berisha, bashkë me Ilir Metën, kanë qenë këtë të shtunë në Durrës, ku kanë prezantuar kandidatin e tyre për këtë bashki, Igli Cara.

Gjatë prezantimit të Carës, Sali Berisha e vlerësoi atë si mikun e tij.

“Ne sot jemi këtu për idealet tona të lirisë, ne jemi sot këtu për idealet më fisnike të njeriut, për të mbështetur së bashku Igli Carën, kandidatin e lirisë, kandidatin e vullnetit tuaj, qytetarin shembullor, intelektualin e shkëlqyer, politikanin e urtë, të vendosur.

Është nder i madh për mua të paraqes këtu para jush Igli Carën, me bindjen më të thellë se Igli Cara me besimin tuaj, me votën tuaj, me mbështetjen tuaj do të dëshmohet një shërbëtor i përkulur përpara jush, një drejtues i përkushtuar përpara qytetarëve të Durrësit.

Igli Cara me mbështetjen tuaj do ndryshojë Durrësin dhe do ndikojë në ndryshimin e mbarë Shqipërisë.

Igli Cara, të gjitha potencialet e këtij rrethi të bekuar do i shndërrojë në shërbime dhe mirësi.

Më 14 maj, ju me Igli Carën, me një mision historik, do rivendosni në Durrës pluralizmin. Më 14 maj, ju me Igli Carën, do i thoni ndal të keqes.

Mençuria e durrsakëve fton çdo qytetar të këtij rrethi të votojë më 14 maj ndryshimin.

Një fjalë e urtë popullore thotë: e keqja nuk ka fund. Nuk ka të vërtetë më të hidhur se kjo. Por e keqja nuk ka fund kur burrat dhe gratë e virtytshëm qëndrojnë indiferentë ndaj saj.

Unë kam bindjen se me 14 maj ju do votoni për ndryshimin e Durrësit, ndryshimin e Shqipërisë,” tha Berisha.

Por durrsakët kanë memorie dhe demokratët veçanërisht e mbajnë mend mirë, se si Sali Berisha urdhëroi disa vite më parë ta nxirnin Igli Carën nga zyra e kryetarit te PD dhe i ndëruan dhe bravat e dyerve.

Kjo ndodhi kur Sokol Olldashi garonte me Lulzim Bashën për kreun e PD dhe Igli Cara konsiderohej si njeriu i Olldashit, ndërkohë që dihet se Berisha atëhere mbështeste Lulzim Bashën për kreun e PD-së.

Për këtë arsye, Berisha, për ata që se mbajnë mend, në atë kohë dërgoi Bardh Spahinë dhe nje grup banditësh nga Tirana, që thyen dyert e zyrave të PD në Durrës dhe me pas ndryshuan bravat dhe nxorrën Igli Caren për leckash jashtë.

Sot Saliu, u bë sërish mik me Igli Carën, që e nxjerrin nga dritarja dhe e fusin nga dera sa herë s’kanë kë kandidojnë.

Ky është Sali Berisha dhe miku i tij që e nxorri me shkelma nga zyra e kryetarit të PD, dhe që sot kërkon ta bejë kryetar Bashkie./Tema