Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, Korça do t’i besonte Sotiraq Filos sërish drejtimin e bashkisë. Nga sondazhi i katërt të Piepolit, që merr në shqyrtim katër bashki të radhës, në Korçë kandidati socialist rezulton fitues me 54-58% të votave.

Përballë tij, Ledina Alolli e koalicionit Berisha Meta merr 42-46%. Në bazë të projeksioneve, shumicat e këshillit bashkiakë mbeten rozë, pasi PS merr 50-54% të votave, “Bashkë Fitojmë” 32-36% ndërsa PD 9-13%. Tërheqja e kandidatit të Alibeajt për 42% e korçarëve është atribut i konflikteve brenda PD-së, ndërsa 28% e tyre besojnë se u tërhoq për shkak të presioneve të drejtpërdrejta nga Sali Berisha. Sa i takon punës së bërë përgjatë mandatit të kryebashkiakut aktual, rreth 60% e qytetarëve janë të kënaqur.
Partia Socialiste pritet të rimarrë për herë të tretë bashkinë e Dibrës. Projeksionet nxjerrin me 48-52% fitues Rrahim Spahiun, që pasohet nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ismail Uka. Uka sipas projeksioneve të Piepoli, merr 43-47% të votave më 14 maj, ndërsa Naim Gazidede me logon e PD vetëm 3-7%.

Edhe PS renditet forcë e parë pavarësisht se me një diferencë jo të thellë nga koalicioni opozitar, me 47-51% PS, Bashkë Fitojmë 42-46% ndërsa PD nuk merr më shumë se 8%. Vota në Dibër sipas Piepolit merr edhe PSD e Tom Doshit por pa kaluar 1%. Pavarësisht rezultatit, dibranët janë të pakënaqur nga puna e kryebashkiakut. Vetëm 27% e të anketuarve e vlerësojnë shumë pozitivisht, 21% pozitivisht, 22% negativisht dhe 30% shumë negativisht.

Të pakënaqur qytetarët janë edhe me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Lelin, të cilit të vetët me Ramën në krye, nuk ia besuan rikandidimin. Leli është vlerësuar nga vetëm 4% e qytetarëve shumë pozitivisht për punën në krye të bashkisë, 41% pozitivisht dhe 55% negativisht ose shumë negativisht.

Mirëpo, socialistët arrijnë ta ruajnë bashkinë me Ermal Dredhën, risinë e këtyre zgjedhjeve në kampin rozë. Sipas sondazheve ai fiton me 61-65% e votave, përballë kandidatit të opozitës Hysni Sharra që arrin të bindë 35-39% të qytetarëve. Për parlamentin vendor, 60-64% e vlonjatëve do të votonin PS-në, 28-32% “Bashkë Fitojmë” ndërsa 3-7% PD-në.

Ndryshe nga Vlonjatët, himariotët janë të kënaqur nga puna e kryebashkiakut të tyre. Sipas sondazhit të Piepolit, 58% të qytetarëve e vlerësojnë shumë pozitivisht punën e Jorgo Goros, 23% pozitivisht, negativisht 7% dhe shumë negativisht vetëm 9%. 3% e të anketuarve nuk kanë asnjë mendim.

Jorgo Goro ruan ndjeshëm edhe epërsinë mbi kundërshtarin, duke siguruar fitoren e një tjetër mandati. Sipas sondazheve, Goro është fitues i zgjedhjeve të 14 majit me 61-65% e votave ndërsa Alfred Bejleri i koalicionit të Berishës e Metës, 35-39%, shumë larg fitores.