Vaksinat antiCOVID-19 janë më pak efektive te njerëzit me një sistem imunitar të dobësuar, kanë treguar tri studime më të vogla italiane dhe studiuesit thonë se këtyre njerëzve u duhet dhënë një dozë përforcuese.
Studimi tregoi se mesatarisht 30 për qind e njerëzve me imunitet të komprometuar nuk zhvillojnë imunitet ndaj virusit korona pas vaksinimit, raporton Reuters.
“Pjesa tjetër prej 70 për qind kanë një përgjigje ndaj vaksinës, veçanërisht pas dozës së dytë”, tha spitali Bambino Gesu nga Roma, i cili kreu studimet.
Studimet u kryen në grupet e 21 pacientëve me imuno-deficiencë parësore, 34 fëmijë dhe të rinj që kishin nevojë për transplant të zemrës dhe mushkërive, si dhe në 45 të rinj që kishin transplant të mëlçisë dhe veshkave.
Rezultatet tregojnë se është e nevojshme të rritet niveli i mbrojtjes së njerëzve më të rrezikuar nga shëndeti me doza përforcuese.
“Rezultatet e studimeve tona tregojnë se është thelbësore të mbrohen kategoritë më të prekshme duke u dhënë atyre një dozë përforcuese të vaksinës, duke rregulluar dozën për të rritur përgjigjen e tyre imune ndaj virusit dhe duke e mbajtur atë për një kohë,” tha profesori Paolo Palma, shef i imunologjisë dhe vaksinimit pranë spitalit Bambino Gesu.