20 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Denokratike në Berat bashkë me kryetarin e tyre, Mateo Smile, braktisën forcën politike ku ishin deri më tani dhe iu bashkuan fushatës së Partisë Socialiste.

Bashkë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherëz edhe drejtues politik i PS në qarkun Berat dhe kandidatin për kryetar bashkie, Ervin Demo, të rinjtë mbollën sot pemë buzë lumit Osum. Largimin nga PD ata e shpjeguan me krizën e thellë në të cilën ndodhet kjo parti.

Të rinjtë shprehën mbështetje për PS-në dhe kandidatin Demo në Bashkinë Berat. Ndërkohë ministri Çuçi tha se PS është një parti e madhe që i mirëpret të gjithë dhe iu shërben të gjithëve.

“Të rinjtë e FRPD që iu bashkuan sot Partisë Socialiste janë një grup energjik, që e kanë kuptuar se s’mund të rrinë më mbrapa, por do të ecin përpara me Ervin Demon, në këto zgjedhje dhe në të tjerat. Ndryshe nga ata të LSI këta e kuptuan pak me vonesë, por më mirë vonë sesa kurrë. PS është një parti e madhe dhe iu shërben të gjithë shqiptarëve”, deklaroi ministri Çuçi.