Prestigjiozja britanike “The Financial Times” i ka kushtuar një artikull gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do ta nisin betejën e fundit me drejtësinë më 3 prill në Hagë të Holandës.
“Ndërsa hetuesit ndërkombëtarë mbledhin prova të mizorive të kohës së luftës në Ukrainë, një gjyq për krimet e luftës që merret me ngjarje të zymta në një pjesë tjetër të Evropës do të fillojë të hënën”, shkruan në hyrje të artikullit The Financial Times. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë.
“Mbetet e dyshimtë nëse kosovarët apo serbët do ta shohin gjyqin si realizim të drejtësisë së paanshme, e lëre më të kontribuojnë në pajtimin rajonal. Si e tillë, procedurat mund të mbajnë mësime për përpjekjet e ardhshme për t’u marrë me rastet e krimeve të luftës që lindin nga pushtimi rus në Ukrainë”, shkruan Financial Times.
The Financial Times shkruan më tej se problemi në këtë zhvillim ka të bëjë me statusin e pazakontë të gjykatës që shqyrton çështjen e krimeve të luftës, duke marrë parasyshe se Dhomat e Specializuara të Kosovës, janë pjesë të sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Holandë. “Në praktikë ai drejtohet tërësisht nga Bashkimi Evropian. Prokurorët dhe gjyqtarët e saj, të zgjedhur me kujdes nga diplomatët e BE-së, nuk kanë mandat të sigurt, duke i bërë ata të prekshëm ndaj ndikimit politik”, nënvizohet në artikull.
“Në mënyrë të parashikueshme, kosovarët e shohin DHSK-në si një imponim të njëanshëm të BE-së, i cili përqendrohet te luftëtarët e tyre dhe jo te serbët të cilët, në sytë e Kosovës, kryen më së shumti krime lufte”. Në artikull thuhet se autoriteteve kosovare u mungon kontrolli mbi komunitetet serbe në zonat veriore të shtetit, ku tensionet vazhdojnë të jenë të larta, ndërsa shtohet se ekonomia e Kosovës është më e dobëta në Ballkanin Perëndimor për shkak të “korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Për të gjitha këto, njëfarë përgjegjësie e ka Thaçi, i cili shërbeu si kryeministër, ministër i jashtëm dhe president i Kosovës”, thuhet në artikullin e publikuar sëfundi me autor Andrea Lorenzo Capussela, i cili shkroi librin “Shtet-ndërtimi në Kosovë: Demokracia, Korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”. Autori ndër të tjera shkruan se prioriteti tani për fuqitë perëndimore duhet të jetë mbështetja e programit për qeverisje të pastër dhe rritje ekonomike gjithëpërfshirëse të përqafuar nga Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Në vend të kësaj, perëndimi po mbikëqyr një gjyq të zhvilluar nga një gjykatë me të meta. Ne duhet të shpresojmë se kushdo që merret me prova të ngjashme dhe përpjekje për ndërtimin e institucioneve në Ukrainë do të jetë më i përgatitur”, përfundon artikulli. Ndryshe, me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kanë zbarkuar të dielen në Prishtinë me kërkesën e vetme: drejtësi për krerët e UÇK-së, para se ata të përballën në betejën e tyre të fundit për të dëshmuar se lufta e popullit të Kosovës ishte e drejtë.