Të 22 mijë votuesit e regjistruar në Bashkinë Tropojë pritet të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë mes kryetarit aktual Rexhë Byberi, i cili kandidon për Partinë Socialiste dhe ish-kryetarit të bashkisë Besnik Dushaj. Gara mes të dyve është e përsëritur dhe origjina politike e kandidatëve është e ngjashme.

Rexhë Byberi ka qenë kryetar komune i Margegajt, një nga njësitë administrative të Tropojës, nga viti 2000 deri në vitin 2015. Ai sot kandidon për Partinë Socialiste, por në atë kohë ishte kryetar komune për Partinë Demokratike dhe arrinte të fitonte zgjedhjet duke marrë 80% të votave. Kundërshtari i tij, Besnik Dushaj, ka qenë kryetar i komunës Fierzë. Në zgjedhjet e vitit 2007, ai mposhti kundërshtarin socialist duke marrë 72% të votave.

Të dy garuan përballë njëri-tjetrit në zgjedhjet e vitit 2015. Socialistët, në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, morën Byberin për kandidat të vetin, ndërsa me gjithë peshën e pushtetit, e humbën garën përballë Dushajt, i cili fitoi me 51% të votave.

Byberi pati shansin të garojë me sukses për socialistët në zgjedhjet e vitit 2019, kur ishte kandidati i vetëm në garë. Ai mori 3500 vota, pak më shumë se sa kishin marrë socialistët në zgjedhjet e vitit 2011 dhe më pak se sa koalicioni PS+LSI në zgjedhjet e vitit 2015. Edhe zgjedhjet e vitit 2021 tregojnë se për socialistët mund të jetë mision i pamundur të mbajnë pozicionin e kryetarit të bashkisë në Tropojë. Në nivel bashkie, demokratët fituan në zgjedhjet parlamentare 2021 me 66% të votave ndërsa socialistët kishin vetëm 32%.

Gara për Tropojën nga ana tjetër është shumë më e ngjeshur për postet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në mënyrë të pazakontë, njëzet e katër parti kanë paraqitur lista me 534 kandidatë, ose një kandidat për çdo 42 votues. Këshilli i Bashkisë ka 21 anëtarë.

Bashkia Tropojë ka rreth 320 të punësuar. Tropoja është një bashki me shtrirje të gjerë gjeografike, ajo ka 1057 kilometra katrore të ndara në tetë njësi administrative të cilat janë: Bajram Curri, Fierza, Lekbibaj, Margegaj, Llugaj, Bujan, Bytyçi dhe Tropojë.

Një seri luginash mes malesh të larta, Tropoja ka tërhequr historikisht turistë vendës dhe të huaj, nga Edith Durham te Rose Ëilder Lane në kohërat e vjetra, ndërsa në kohërat e reja, të huaj të tjerë janë magjepsur dhe kanë zgjedhur të zënë rrënjë mes këtyre maleve, si Catherine Bohne.

Turizmi malor ka krijuar mirëqenie për një pjesë të popullsisë, veçanërisht në luginën e Valbonës, por njëkohësisht ka sjellë edhe rrezikun e betonizimit ndërkohë që popullsia e re emigron.(BIRN)