Kryeministri Edi Rama zhvilloi takim me një nga bizneset private në kryeqytet për të diskutuar rreth pagave. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se qeveria po merr masa në mënyrë që të mos shfrytëzohen punëtorët dhe të marrin paga minimale ndërsa pronarët shtojnë vilat e tyre.
Kreu i qeverisë përsëriti se nuk do të marrë tender asnjë kompani ndërtimi me pagë minimale dhe shtoi se është e turpshme që shqiptarët të shfrytëzojnë shqiptarët e më pas ankohen se emigrojnë drejt vendeve të tjera.
“Investimi , pagesa e punonjësve është investim dhe për ne kjo nuk është thjesht një çështje rritje pagash në sektorin privat, është një çështje beteje kundër shfrytëzimit, ky është shfrytëzim. Ti japësh sot njerëzve paga minimale dhe ndërkohë vetë të vazhdosh të blesh vila ky është shfrytëzim, kjo nuk duhet të ndodhë dhe ne do marrim masa.
Ne nuk mund ta vendosim këtë, se nuk është qeveria që vendos sa do jetë paga, por ne nuk do i japim asnjë shërbim kompanive që nuk shpërblejnë si duhet punonjësit. Nuk do pranojmë që të na futen në tenderat e shteti me paratë e shtetit kompani ndërtimi që thonë që paguajme punëtore me pagë minimale, gënjejnë pasi nuk ka punëtor sot që hip në skelë dhe të vjen me pagë minimale.
E dyta ajo që paguajnë në të zezë duhet të dalë në të bardhë dhe e tretë nuk mundet ne t’ju japim leje ndërtimi askund kompanive që duan të bëjnë pallate me punëtore që nuk marrin një pagë dinjitoze.
Ne nuk mund të mbështesim me paratë e popullit shqiptar dhe shteti punon i gjithi me taksa, kompani të cilat shfrytëzojnë shqiptarët. Shqiptarë që shfrytëzojnë shqiptarë, për turpin e dheut. E fundit që kam është të jeni të bindur për një gjë që kjo paga këtu, paga juaj mesatare do të shkojë në vazhdim do shkojë afro 85 mijë lekë”, tha Rama.
Në përfundim, Rama krahasoi ‘qejfin’ në Shqipëri dhe Gjermani duke thënë se konsumimi i kafes atje nuk bëhet me muhabet si në vendin tonë.
“Kafen si këtu harrojeni se e gjeni në Gjermani për muhabet. Në Gjermani është për të mos bërë muhabet dhe e treta, harrojeni se krahasohet lodhja këtu me atë atje. Këto që thashë unë barazohen me 0 nëse paga s’është e arsyeshme. Kompaninë është mirë të mos e marrësh si të mirëqenë se ka muret e dritat por ta shohësh aty ku kompania ka burimin e oksigjenit të saj. Një gjë besoj që do e mbani parasysh para se të më shani që ju bëra këtë muhabet që të paktën ju mbajta ulur”, tha Rama.
Gjatë ditëve të fundit, kreu i qeverisë ka prezantuar rritjen e pagave për mjekët, efektivët e Forcave të Armatosura, policët, e ndërsa i ka bërë thirrje edhe sektorit privat që të ndjekë të njëjtën ritëm. Në përgjigje të kritikëve, ai tha se ky vendim ka qenë i planifikuar shumë kohë më parë dhe se nuk ka lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit.