Më çnjerëzorja në gjithë këtë histori është fakti se pas pas incidentit korveta “Sibila” u largua duke i lënë njerëzit të mbyteshin. Anija italiane u rikthye vetëm pas gjysëm ore, por koha kishte qenë e mjaftueshme që dhjetëra burra, gra e fëmijë të mbyteshin.

“Afër meje ishte një vajzë nga fshatrat e Fierit që më kërkoi ndihmë dhe e kam tërhequr deri te anija italiane që u kthye pas 30 minutash se donte të na linte. Pashë trupa që kishin vdekur. Kishin pirë ujë. Ishin të fryrë“, u shpreh Krenari.

Edhe pasi anija është kthyer, trajtimi i ekuipazhit ndaj shqiptarëve ka qenë mizor. Madje, ata kanë kërcënuar emigrantët që guxuan t’i akuzonin për shkaktimin e atij krimi kundër fëmijëve të pambrojtur.

“Pas gjysmë ore erdhi sërish “Sibila”, na ndau në dy grupe. 23 në një korridor, na solli një çaj dhe njëri nga shokët tanë i tha çfarë bërë o kriminel na vrave: “Rri urtë” i tha se ju hodha edhe ju në det. Ishte një kriminel i betuar ndaj shqiptarëve”.

Kush nuk do të drithërohej vetëm duke lexuar emrat dhe ditëlindjet e këtyre ëndërrimtarëve që po përpiqeshin të largoheshin nga vendi, pas anarkisë që e kishte përfshirë nga falementimi i skemave piramidale.